Pas tre orësh, ish-kryeministri Berisha ka mbyllur protestën e sotme duke kërkuar shpërndarjen e mbështetësve. Ai tha se përpjekjet për të shndërruar PD-në në shtëpi lirie do të vazhdojë deri në arritjen e plotë të qëllimit.
“Kjo faktoj në mënyrë përfundimtare se Edi Rama mban peng Lul Bravën dhe bashkë me të, me dhunë dhe terror, shtëpinë e PD-së. Ky përbën një akt të pashembullt në 30 vite. Përpjekjet për shndërruar në shtëpi lirie PD-në do të vazhdojnë deri në arritjen e plotë të qëllimit. Sot ne do të shpërndahemi “, tha Berisha.
Ai tha se protestat do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë ndërsa edhe njëherë tjetër e akuzoi Bashën si peng të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Dyert e PD do të happen nga ata 44 mijë burra dhe gra për shkarkimin e peng Bashës. Kjo nuk ka asnjë lloj ekuivoku. Ka plot variante të tjera që mund të ndjekim. Ne do kthejmë shtëpinë tonë në shtëpinë e lirisë. Nëse do i druhesha një hetimi penal nuk do isha këtu. Jam anëtar i një revolucioni fitimtar që nuk ka të ndalur deri në triumfin e tij.
Dita e sotme tregon se ky është mision i shenjtë. Kjo është fytyra e vërtetë e narkoshtetit. Kjo përbën një motivim shumë më të madh për të vazhduar këtë revolucion. Basha është peng i zotit Rama. Do të ketë protesta në të gjithë Shqipërinë. Ata që duan ta mbajnë peng me banditë dhe mjete dhune do përballen me vrullin e një revolucioni që nuk ka të ndalur”, deklaroi ai.