Britania e Madhe i ka bërë të qarta qëndrimet e saj në lidhje me sulmin rus ndaj Ukrainës. Anglia i ka dënuar sulmet dhe ka qenë mjaft e ashpër në sanksione.
Ka reaguar Moska. Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate ka kërcënuar Britaninë e Madhe me hakmarrje për sanksionet e vendosura si dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, thotë se Rusia nuk do ta harrojë bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kievin, apo me ato që ajo i quan “forcat ultra-nacionaliste të Ukrainës”, sipas mediave ruse.
“Histeria e sanksioneve në të cilën Londra luan një nga rolet kryesore, nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të marrim masa të ashpra hakmarrëse proporcionalisht,” tha ajo, duke shtuar se interesat britanike në Rusi do të “minohen” nga përgjigja e Moskës.
Zakharova shtoi se kërcënimi për civilët në Ukrainë nuk vjen nga forcat ruse, por nga “nacionalistët ukrainas”, të cilët sipas saj po manipulojnë popullin.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ofruar armë dhe ndihmë financiare për Ukrainën.