Klan News ka zbardhur dosjen hetimore të SPAK për mega-operacionin e zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë disa ditë më parë.
Në dosjen prej 123 faqesh janë të zbardhura me detaje komunikimet që kanë zhvilluar anëtarët e grupit kriminal mes tyre. Një detaj interesant në dosjen hetimore janë kodet që përdorte grupi krimianl për të identifikuar origjinën e lëndës narkotike dhe shumat e parave që duheshin paguar.
Gjatë një operacioni anti-drogë të kryer në Bergamo të Italisë ku ranë në pranga Alfred Luli së bashku me dy persona të tjerë u sekuestrua kokainë rreth 6 kg e ndarë në tre qese, si dhe një sasi prej 83,7 kg hashash dhe 42,5 kg lëndë narkotike marihuanë.
Ky operacion u krye nga autoritetet italiane në Janar të 2017-ës. Në banesën e të dyshuarve u gjet edhe një fletore shënimesh ku u zbërthyen simbolet.
Në dosje thuhet se simboli, “S” tregon për lëndën narkotike të llojit marihuanë me origjinë nga Spanja, simboli “A” tregon për lëndën narkotike të llojit marihuanë nga Shqipëria, simboli “H” tregon substancën narkotike të llojit kokainë, fjala “tym” ose “çokollatë” tregon substancën narkotike të llojit hashash, fjala “copë” përdoret për të treguar 1 gram, fjala “pako” përdoret për të treguar 1 kilogram, fjala “lek” (monedhë shqiptare) përdoret për të treguar monedhën në euro, fjala “mushka” përdoret për të treguar “korrierin” i ngarkuar për transportin e drogës ose parave.
Në dosjen hetimore të SPAK thuhet se në përgjimet për grupet kriminale të drejtuar nga shqiptarët kanë nisur që në Janar të 2018-ës pasi janë vënë në diejni nga drejtësia e vendit fqinj se këta persona mund të ushtronin të njëjtin aktivitet kriminal edhe në vendin tonë.
Një tjetër detaj interesant në dosjen hetimore është edhe pseudonimi që përdorte Emirjan Beu. Sipas dojes ai njihej me nofkën “Noyzi”, si rreperi i famshëm. Kjo gjë zbulohet nga biseda e zhvilluar mes Rexhep Dallupit dhe Enkeleda Bakallit. Dallupi i ka treguar se Alfred Luli ka punuar gjithmonë në emër të Emirjan Beu dhe se disa muaj para arrestimit, ai kishte filluar që të kryente një veprimtari paralele.
Pjesë nga përgjimet në dosjen hetimore:
Rexhep Dallupi: Varet nga dënimi që i kanë dhënë këtu…
Enkeleda Bakalli: Më vjen keq për atë se e kishte dhe gruan kështu…(ndoshta shtatzënë), i shkreti do dënohet për faj të tjerëve.
Enkeleda Bakalli: Kush e di si do përfundojë tani…por nuk e dërguan në Shqipëri apo jo? (kuptohet gjithmonë nëse e sollën Alfred Luli-n për të vuajtur dënimin në Shqipëri)
Rexhep Dallupi: Nuk është ashtu…se ai (Alfred Luli)punonte dhe fitonte… i pëlqente, mori edhe lekë dhe bëri… dmth “Noizy” (Emirjan Beu) nga ky (nga Alfred Luli) dmth ai çuni tjetër (furnizuesi i ‘Noizyt’) ka për të marrë 500-600 mijë euro. Noizy po më thoshte një ditë “u futa në telashe me robin tim (me furnitorin) prej atij (prej Alfred Lulit)” dhe ai tha (furnizuesi) “që e vret por unë nuk ia thashë këtë. “
Enkeleda Bakalli: Ai punonte me të vëllanë (Gjergj Luli) dhe këtë (Noizy-n) e ka mbajtur aq shumë për…
Rexhep Dallupi: Shiko si ishte puna, Emirjani më tha që ky (Alfred Luli) në një muaj me hoqi 5-6 bukë, në 2 muaj hoqi 1 bukë e gjysëm… (dmth më parë shiste për llogari të Noizy-t 5-6 kg në muaj dhe pastaj vetëm 1 e gjysëm). Prit se ka diçka këtu, e kupton?
Gjatë hetimeve të nisura që në 2017-ën kanë rënë në pranga në total 119 persona në të dy vendet dhe vetëm 62 janë arrestuar. Ndërkohë grupet shqiptare e kishin bazën në qytetin e Durrësit. Këtë të shtunë Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për 6 të arrestuarit.