Gëzhojat e 26 plumbave të derdhur drejt Top Channel, armët, makina e autorëve dhe një seri pamjesh të kamerave të sigurisë nuk e bënë optimist grupin hetimor të Policisë të Tiranës se mund të bjerë në gjurmë të autorëve prandaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve.
Për çdo informacion të vlefshëm, policia ofron 100 mijë euro duke siguruar anonimitet të plotë.
Falë pamjeve të kamerave të sigurisë policia zbuloi itenerarin e autorëve të cilët duket se e njohin mirë zonën dhe e kanë mirëmenduar sulmin brutal.
Ata kanë lëvizur në aksin Kashar – Rruga dytësore Tiranë-Durrës- Mëzez Autorët përdorët të njëjtën rrugë për tu larguar pasi kryen aktin terrorist për të shkuar në pikën fundore në “Prroi i Agait” në Kavajë ku braktisën armët dhe makinën.
Në sulmin terrorist ndaj Top Channel ku humbi jetën punonjësi i sigurisë Pal Kola janë përdorur dy armë zjarri. Nga verifikimi ka rezultuar se një kallashnikov ka qëlluar 20 herë ndërsa tjetri 6. Gëzhojat, armët dhe makina e autorëve u çuan në laborator për ekzaminim me qëllim gjetjen e provave që do të çojnë në identifikimin e autorëve.
Për këtë sulm, autorët kanë investuar mijëra euro, duke përdorur një mjet të vjedhur 3 vite më parë dhe targa të vjedhura rreth 3 muaj më parë.
Nga verifikimet e kryera nga polica, mjeti “Range Rover” që i përkiste një pushuesi nga Kosova, është vjedhur në Tale të Lezhës më 10 korrik te vitit 2020. Pamjet e kamerave të sigurisë së parkingut të një hoteli në Tale kanë fiksuar momentin kur dy persona me kapuç vjedhin makinën pasi e hapin me pult.
Kjo makinë pasi u përdor në sulmin terrorist ndaj Top Channel dhe u dogj nga autorët tashmë është një prove material.
Gjatë këtij 24 orëshi në policinë e Tiranës por edhe të Kavajës, Vlorës etj janë shoqëruar shumë persona që mund të kishin dijeni apo lidhje me sulmin përfshirë edhe ish-dhëndrin e viktimës, por të gjithë janë lënë të lirë pasi nuk janë gjetur prova për implikim./Tch