hkodër – Një 32-vjeçar nga Shkodra është kuruar për COVID kur nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë, kjo pasi analizat e testit kanë qenë të gabuara. I riu në 24 Tetor është diagnostikuar në një klinikë private pozitiv ndaj COVID-19.
Për t’u siguruar ai ka bërë në të njëjtën ditë edhe një test në strukturat shtetërore dhe pas 5 ditësh i ka ardhur përgjigja, por këtë herë ai ishte negativ. Këtë denoncim ai e ka bërë në emisionin “Stop”.
“Në datën 18 tetor kam ardhur nga Belgjika. Pas dy ditësh kam pasur disa simptoma dhe dyshoja për COVID dhe iu drejtova një klinike private në Shkodër dhe bëra të gjitha analizat. Më thanë që ke COVID dhe më thanë të izolohesha, të dilja më vete dhe më dhanë shumë ilaçe, të bëja gjilpëra dhe vazhdova kurën për 2 javë. Po atë ditë unë bëra dhe testin në shtet dhe pas 5 ditësh më sollën përgjigje dhe isha negativ.
Unë kam bërë shumë vizita dhe shumë kontrolle, pasi jam ndjerë keq nga ilaçet që kam marrë për 2 javë. Unë nuk e di akoma nëse e kam kaluar apo COVID-19, pasi privati më nxjerr pozitiv dhe shteti negativ”, tregon qytetari.
“Stop” ka ndjekur këtë rast dhe ka shkuar tek klinika private, por mjekja që i ka dhënë kurën pasi ishte me COVID-19.
Gazetarja: Këto janë disa analiza të bëra te ky laborator, me këto analiza me kë mund të flas, që të mund të më shpjegojë gjendjen shëndetësore të pacientit? Ju dini t’i lexoni? Jeni mjeke? Këtu ka një emër, Myftar Leka.
Recepsionistja: Jo, jo, jo!
Gazetarja: Kush mund të m’i shpjegojë?
Denoncuesi: Doktoresha!
Recepsionistja: Tani, unë nuk kam askënd këtu për momentin, unë jam recepsionistja.
Denoncuesi: Doktoresha? Doktoresha është e sëmurë për vete. Edhe mjekët i ka kap COVID-i.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga diagnostikimi i të riut me COVID, sërish në shtëpinë e tij janë të gjitha analizat dhe ilaçet që ai ka marrë. I riu në praninë e “Stop” ka komunikuar me infermierin që e ka kuruar për 2 javë me radhë dhe infermieri i thotë se duhet të bëjë testin serologjik për të kuptuar nëse ka qenë vërtet i infektuar apo është kuruar gabim.
Denoncuesi: Desha më të pyet, e kam pas apo s’e kam pas COVID-in?
Infermieri: Për Zotin, me ato shenja edhe e ke pas, por duhet me dit krejt ekzaktësisht. Sa kohë u bane?
Denoncuesi: Një muaj e gjysmë.
Infermieri: 1 muaj e gjysmë tani. Me ba një serologjike dhe e gjen a e ke pas, a nuk e ke pas.
Denoncuesi: Ato gjilpërat, ato ilaçet që kam marrë kanë qenë për COVID?
Infermieri: Po, po ajo ka kenë, për mushkërinë. Kundër një asaj pune ka kenë.
Denoncuesi: Kanë qenë për COVID?
Infermieri: Po, po!
Pasi ka kryer testin serologjik, i riu mesoi se nuk e ka pasur Covid-19/tvklan.al