Një polic ndihmoi vrαsësit e Brilant Martinajt/ Dalin detaje të reja

Një efektiv i policisë dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrαsjes së Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës të largohen pasi i vunë zjarrin makinës që përdorën në ngjarje. Emisioni “Në shënjestër” në News 24 publikoi sot pjesë nga dosja hetimore, ku rezulton se efektivi M.D., ka shoqëruar dhe strehuar autorët edhe para vrαsjes verën e kaluar. Por siç edhe vlerësohet në dosjen hetimore, grupi hetues nuk mund të sigurojë dot numrin apo numrat e telefonit të këtij efektivi policie.



Një fakt i habitshëm ky se si prokuroria dështoi në sigurimin e këtyre provave. Sipas relacionit të siguruar nga emisioni “Në shënjestër”, pas dështimit të sigurimit të tabulateve telefonike, prokuroria vendosi përgjimin ambiental të punonjësit të policisë. Uniformat blu i vendosën një GPS në makinën e tij efektivit M.D. Përmes kësaj praktike policia shpresonte që të merrte informacione të vlefshme që mund të çonin në identifikimin e autorëve të mundshëm të krimit në Fushë-Krujë.

“Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore u paraqit në prokurori relacion dhe kërkesë për kryerjen e përgjimit ndaj M.D., nëpërmjet vendosjes së pajisjes GPS në automjetin e këtij shtetasi dhe vëzhgimi me anë të fotografimit. Për hetimin e gjithanshëm dhe objektiv të kësaj çështje, grumbullimin e provave dhe dokumentimin e autorësisë së veprave penale u pa e domosdoshme gjithashtu edhe kryerja e veprimit procedural të përgjimit të fshehtë me mjete teknike i bisedave ne vende private dhe përgjimi me audio dhe video në vende private të M.D. Konkretisht i bisedave që ky shtetas do të kryejë dhe mund të zhvillojë në automjetin e tij”, – thuhet në dosje.

Por pavarësisht këtyre lëvizjeve duket se diçka nuk shkoi mirë në këtë hetim, ashtu si në shumë hetime të ngjashme të kësaj natyre të cilat dekonspirohen pa filluar mirë. Efektivi i policisë M.D. ishte në dijeni të çdo veprimi hetimor që po bënte policia ndaj tij dhe siç rezulton mori masat e duhura për të mos u peshkuar nga kolegët e tij, që kishin rënë tashmë në gjurmë të aktivitetit të tij kriminal.



Sipas informacioneve të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, pasi Gjykata dha pëlqimin për përgjimin e efektivit të dyshuar të policisë, grupi hetues vendosi të ngrejë një kurth ndaj tij, duke i vendosur këtë herë një GPS në makinën e tij personale. Por për ta bërë sa më të vërtetë këtë grackë dhe për të hequr çdo dyshim nga ai vetë, efektivi i policisë u thërrit dy herë në Tiranë me arsyetimin e nevojës së një trajnimi. Në fakt, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një rreng i përgatitur nga grupi hetues.

Megjithatë, efektivi M.D. nuk ishte aq i mefshtë sa e mendonin kolegët e tij, të cilët kishin hapur një hetim. Ndërsa grupi hetues vendosi GPS në makinën e tij dhe pritej që punonjësi i dyshuar i policisë të vinte me makinën e tij, çuditërisht në të dyja rastet e paraqitjes së tij në ‘trajnim’, ai mbërriti jo me automjetin e tij, por me atë të personave të tjerë.

Duket se nuhatja e oficerit të policisë se mund të ishte në monitorimin e grupit hetues, veproi më shpejt se këta të fundit. Siç mëson edhe emisioni “Në Shënjestër” efektivi i policisë M. D., reagoi në kohë, duke shtangur edhe vetë survejuesit e tij, të cilët i nxori jashtë loje, me një lëvizje të vetme.



“Prokuroria argumenton se ky përgjim është i domosdoshëm për vëzhgimin e hetimeve, për të bërë të mundur identifikimin e rrethit të personave me të cilët komunikojnë personat nën hetim si dhe lidhur me përmbajtjen e komunikimeve të tyre me këta persona. Për këtë qëllim GPS u montua me teknika të fshehta në automjetin e M.D. Por një ditë më vonë, ai ndërroi automjetin, pasi u informua për përgjimin ambiental”, – thuhet në dosjen hetimore.

Dështimi i përgjimit me anë të GPS, duket se solli edhe ndërprerjen e hetimeve ndaj oficerit të policisë, M. D. Edhe pse ky i fundit, u pa të largonte me makinën e tij, ditën e ngjarjes, autorët e ekzekutimit në mbikalimin e Fushë-Krujës, të Brilant Martinaj dhe dy shoqëruesve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Author: morevesh