Ledri Vula ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në emisionin e fundit për këtë sezon në “Soiree” me Jonida Shehun në një rrëfim të gjatë si asnjëherë më parë duke prekur momente më të rëndësshme të karrierës së tij, por jo vetëm.
Ai ka kujtuar fillimet e tij gjatë rrugëtimit muzikor, i cili u be i njohur kur ishte pjesë e “Skillz” me Visar Shalën. Ledri ka rikujtuar koncertin e parë, por edhe sa është paguar kur është ngjitur për herë të parë në skenë.
Ledri Vula: Ka qenë unë e Skivi, sa ishim bërë grup. Donim të fillonim të këndonim një këngë bashkë. Na pyesnin a doni të dilni të këndoni? Unë doja të dilja të këndoja gjithsesi, edhe nëse ata këndojnë, edhe nëse ata s’këndojnë, e nëse ka para apo s’ka pare.
Jonida Shehu: Kishte pare? Ledri Vula: Në fund kur ka ardhur Skivi na dha nga 15 euro, por atëherë kanë qenë të mëdha.
Më tej Ledri shtoi se pagesa e dytë ka qenë 50 euro dhe sigurisht që paratë e para fituara nga muzika ia ka dhënë nënës së tij Xheraldinës në shenjë mirënjohje që e ka ndihmuar për realizimin e klipit të parë.
Ndonëse e ka nisur me 15 euro, tani Ledri është një ndër reperët më të paguar në tregun muzikor. Po ashtu ai është pyetur nëse ka qenë avantazh apo disavantazh që konsiderohet si një ndër reperët më seksi të estradës dhe nëse e ka ndihmuar ky fakt.
Mirëpo Ledri Vula i ka habitur të gjithë me përgjigjen e tij. Teksa të gjithë prisnim që ai të ndihej mirë me këtë fakt, Ledri është shprehur se ky detaj e ka kompleksuar.
“Normal qe të ndihmon. Që të jesh i suksesshëm nuk mjafton vetëm të jesh i talentuar. Kur flasim për një artist të kompletuar flasim për mënyrën se si sillet, si flet nëpër intervista, si shkruan, çfarë vesh, si duket, si performon në skenë, si sillet me publikun.
Të gjitha këto të bëjnë një artist të kompletuar. Mua ka mundur që të më ndihmojë, por ka mundur edhe që të mos më ndihmojë. Mua më është bërë kompleks. Unë jam shumë herë reper më i fortë sesa që dukem mirë (fizikisht)”, është shprehur Ledri Vula.
Ama tregun ndërkombëtar Ledri nuk e ka synuar ndonjëherë prandaj dhe bashkëpunime me artistë të huaj i ka refuzuar. Vlen të rikujtojmë se Ledri Vula ka refuzuar të bashkëpunojë me këngëtaren e famshme Iggy Azalea. Reperi ka folur për herë të parë mbi këtë histori dhe si qëndron e vërteta.
“Iggy Azalea mund të jetë një artiste shumë e famshme, por mua nuk më ka pëlqyer ndonjëherë. Fatoni (menaxheri i dikurshëm) ka folur, më ka thënë a do të bësh këngë me të, i kam thënë jo se nuk më hyn kurrëgjë në punë”, është shprehur Ledri Vula. “As për njohje ndërkombëtare?”, e ka pyetur më tej moderatorja Jonida Shehu.
Ndërkaq Ledri Vula përfundoi: “Nuk më hyn në punë. 2 followers-a më shumë që pas 2 muajsh të bëjnë unfollow. Nëse do kisha ndonjë synim (për tregun ndërkombëtar), nuk do e kisha bërë me Iggy Azelia, por me një tjetërkënd”
Ai numëron pafund fanse femra të cilat “çmenden” pas tij dhe janë në çdo koncert ku ai është. Po si ndihet Sara dhe a bëhet xheloze ajo kur sheh vëmendjen kaq të madhe të vajzave për Ledrin duke qenë se edhe ajo u njoh me të në një koncert?
Ledri është përgjigjur i prerë që Sara nuk ka aspak natyrë xheloze. Gjithashtu moderatorja e emisionit Jonida Shehun e ka pyetur edhe në lidhje me këngën “Don mo” që ka publikuar dhe konkretisht për një varg.
“Ti mos um thuj se nuk don mo, don mo. Vec se ke ni qe une jom nxon, jom nxon. Se per ty une dal. Ku po shihemi vajzo?” Jonida Shehu: Si ta marrin vajzat këtë tekst? Ledri Vula: Le ta marrin si të duan. Unë aty jam. Dalim pimë ndonjë gotë, por kaq.