Përjashtimi i deputetëve nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike u shndërruar në episod debatesh dhe tensionesh në kuvend. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u përfshi në debat, duke thënë se është e drejtë e grupeve parlamentare.
“Në këtë sallë janë njoftuar historikisht vendimet e grupeve parlamentare. Me vendim të grupeve janë përjashtuar Spartak Ngjela, Gilman Bakalli. E drejta e grupit parlamentar për të përjashtuar dikë, është ekskluzive. Nga ana tjetër, nuk ekziston koncepti i pezullimit. O je, o nuk je në një grup parlamentar. Do t’i kërkoja që grupi parlamentar i PD ta adresojë këtë çështje”, tha Balla.
Ndërhyrja e tij solli reagimin e ashpër të Flamur Nokës, një prej deputetëve të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD. “E kuptoj dashurinë e madhe që Balla ka për shoqatën e bravave. E kuptoj që është ngarkuar me mision për të ruajtur pengun dhe pengjet rreth pengut.
Por ju nuk mund të pranoni që Balla të flasë në emër të grupit parlamentar të PD. Fyerje më të rëndë për demokratët nuk ka për të pasur. Nuk e caktoni ju kush është e kush nuk është demokrat. Nuk mund ta ndryshoni ju pluralizmin”, tha Noka.