Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Gazetarja Klodiana Lala tha se ish-ministri Koka është arrestuar në qytetin e Durrësit dhe është sjellë në Tiranë, ku prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do t’i ofrojnë të drejtën që ai të japë shpjegimet e tij.
Gjatë këtyre muajve që Lefter Koka ka qenë nën hetim, SPAK ka kryer kontrolle në bizneset e tij, në dokumentacionet e Ministrisë së Mjedisit, që ai ka drejtuar, si dhe ka kërkuar informacione nga institucionet shtetërore, duke sekuestruar një sërë materialesh dhe duke bërë që sot ta çojë pas hekurave ish-ministrin.
Në orët në vijim mund të ketë të tjera arrestime, pasi dosja e inceneratorëve është një nga aferat më të mëdha të kohëve të fundit.
Mbi ish-ministrin Koka rëndojnë disa akuza si ajo e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe është ish-zyrtari i parë i arrestuar në lidhje me dosjen e inceneratorëve, pasi nga hetimet e SPAK ka rezultuar se ka shkelje të rënda sa i përket kontratave me inceneratorët.
Referuar burimeve nga Policia e Shtetit, gazetarja Lala thekson se aktualisht Koka ndodhet në banesën e tij në Durrës, pasi efektivët po ushtrojnë kontroll, por pritet që të shoqërohet drejt kryeqytetit për t’u mbajtur në qelitë e paraburgimit. /BW