Ditën e nesërme pritet të zhvillohet në Turqi takimi mes ministrave të jashtëm të Rusisë e Ukrainës.
Lajmin e ka bërë të ditur BBC, e cila thekson se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të “hapë rrugën për një armëpushim të përhershëm”.
Ndërkohë presidenti rus ka thënë se do të ndjekë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.
Turqia është anëtare e NATO-s, por Erdogan është përpjekur të mbajë një qëndrim ndryshe nga vendet perëndimore për pushtimin rus. Ndërsa ai tha se Turqia nuk e pranonte atë që po ndodhte me ukrainasit, sanksionet sipas tij u shndërruan në një gjueti shtrigash kundër popullit rus, letërsisë, studentëve dhe artistëve.
Ai veçoi Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur këtë veprim qesharak.