Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, ka folur me gazetarët në lidhje me atë që po ndodh në Partinë Demokratike, ku sipas tij situata është tepër e vështirë.
Rama tha se nga përplasja mes Berishës dhe Bashës humbasin demokratët, dhe mundësia për bashkëpunim në lidhje me reforma që kërkojnë shumicë të cilësuar duket mjaft e vështirë.
Sipas Ramës, as Berisha dhe as Basha nuk kanë legjitimitet pa njëri tjetrin, ndërkohë që foli dhe për ndërhyrjen e Policisë në selinë e PD-së. Kryeministri tha se Basha gaboi që fortifikoi godinën, ndërkohë që ndërhyrjen e policisë e cilësoi më të vështirën në 30 vite, dhe më profesionalen njëkohësisht.
Edi Rama:
Patjetër, patjetër, nejse kjo është për të qarë dhe për të qeshur, unë nuk mund të qaj gjithë kohës për ta, mund edhe të qeshim ndonjëherë.
Nuk më rezulton se ka pasur anëtarë të Kryesisë që të marrin godinën me dhunë, ne jemi bashkë për interes të njerëzve, dhe jo për interesa vetjake siç janë dy kufomat politike të PD-së.
Është një kacafytje që po ra njëri, bie dhe tjetri.
Në të gjitha familjet dhe organizatat nuk janë të zgjidhura të gjitha problemet, ajo që është pak por e sigurt është që PS është në funksion të zgjidhjes së problemeve të njerëzve dhe të vendit, ndërsa PD në funksion të problemeve të pazgjidhshme të dy kufomave politike, njëri me seli tjetri pa seli.
Njëri i kyçur në seli, dhe tjetri i kyçur në listën e zezë. Unë shpresoj shumë që PD të dalë nga kjo krizë.
Nuk e dimë më se kush është kush në këtë histori, të dy ata nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç, deputetët e PD-së janë legjitim se janë aty me votën e popullit, sa kohë që ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim ne jemi aty për ta bërë këtë.
Situata është shumë e vështirë për momentin, unë uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet, janë e njëjta anë e medaljes për të thënë të vërtetën, Policia e shtetit ishte në sfidën më të vështirë në këto 30 vite sipas meje.
Kurrë më parë policia nuk e ka pasur sfidën e saj që të futet në oborrin e partive, që të ndajë palët e njëjta, çështja është trajtuar me profesionalizëm. Për mua dhuna mund të ishte shmangur, nëse nuk do të ishte fortifikuar selia.
Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh sot në drejtimin e Kryetarit Edi Rama për të miratuar projektvendimin për mbledhjen e Kongresit në datën 29 Janar. Në këtë mbledhje u paraqit dhe drafti paraprak me propozimet për ndryshime në Statutin e PSSH-së.
Pas diskutimeve të zhvilluara nga anëtarët e Kryesisë dhe propozimeve përkatëse, Grupi i Posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin në ditët e ardhshme për të hartuar dokumentin përfundimtar i cili do ti paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit.
Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Asamblea Kombëtare për Sekretariatin Ekzekutiv të partisë. Në Kryesi u diskutua gjithashtu për aktivitetin që do të zhvillohet në 15 Janar në kuadër të 30 vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar.