Ka marrë fund arratia për Leonard Dukën I shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2019. Policia e Shtetit njoftoi sot arrestimin e tij në kuadër të operacionit “Provinca”.
Referuar burimeve zyrtare, Leonard Duka fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Provinca”.
Operacioni, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albanaia, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët e Fast Belgjikës dhe midis ZQK Interpol Tirana e zyrës homologe të Interpol Brukselit.
Kapet nga Fast Belgjika, në një provincë të Brukselit, një shtetas shumë i kërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.
Në vijim të punës për grumbullimin e informacioneve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albania, për vendodhjen e një të shumëkërkuari që fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit, menjëherë kanë shkëmbyer informacion me Fast Belgjikën, të cilët në kuadër të operacionit policor të koduar “Provinca“, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin e shumëkërkuar L. D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi L. D. ishte i shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ky shtetas dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së shtetasit S. M., të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë.
Ai gjithashtu është anëtari i bandës së armiqve të përbetuar të Ervis Martinajt, mbretit të basteve që është zhdukur prej gushtit të vitit të shkuar dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.
Dyshohet se Klani Duka ka qenë ai i cili “i ka prerë krahët” Ervis Martinajt. Pas prishjes së pazareve të parave mes tyre, Martinaj dhe Klani Duka u përfshinë në një konflikt të drejtpërdrejtë.
Përplasja mes grupit të Ervis Martinaj dhe vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka kulmoi me eleminimin e ish-policit Santiago Malko, një prej miqve më të afërt të Martinaj. Vrasje e cila dyshohet se u krye nga Klani Duka, mbrëmjen e 27 gushtit 2019, në rrugën ‘Xhanfize Keko’, në Tiranë. Santiago Malko, që kishte qenë i pranishëm edhe gjatë përplasjes me armë që Ervis Martinaj, kishte pasur disa muaj më parë, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Kjo vrasje erdhi pasi Klani Duka kishte dështuar në ekzekutimin e Martinaj. Përplasja mes Martinajt dhe Dukëve, që duket se kishte nisur për lojërat e fatit. Por ku thuhet se Martinaj, mori peng dhe dhunoi babain e vëllezërve Duka. Gabim të cilin Klani Duka nuk ia fali kurrë Martinajt.
Klani që thuhet se tashmë ishte betuar deri në elimiminin e ushtarit të fundit të Martinaj dhe vetë kundërshtarit të tyre më të madh. Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet tek miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që ka ai.
Ku një hetim i prokurorisë së Tiranës, zbuloi se Vëllezërit Duka ishin investuar fuqishëm me të gjithë mjetet për të ditur lëvizjet e Martinaj me objektivin për të kryer eleminimin e tij. Hetim që ndër të tjera, zbuloi se Klani Duka, kishte rekrutuar punonjësen e një agjencie turistike, me qëllim që kjo e fundit kundrejt pagesës tju vinte ne dispozicion lëvizjet dhe vendet ku do të akomodohej Ervis Martinaj.