Enxhi Drapi është student në Fakultetin e Drejtësisë dhe shkruan poezi, prozë, ese, të cilat janë pjesë e kredos shpirtërore, e përjetimeve emocionale dhe impenjimeve të saj. Një roman i saj, që sapo ka dalë dhe qarkullon nëpër libraritë në Shqipëri e Kosovë, por dhe ndër qarqet letrare të botës shqiptare, ka bërë jehonë dhe është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika. “Diku ku dielli nuk perëndon” është romani i saj, një titull i pazakontë dhe një histori e pa zakontë, një roman psikologjiko-social, i guximshëm në qasjen tematike dhe mesazhet që përcjell, i cili godet fort në mentalitetin e shoqërisë, ku rrëfehet historia e Helenës, një vajze në dukje të thjeshtë dhe e dobët por e cila arrin t’iu bëjë ballë sfidave, sëmundjeve dhe kërcënimeve jo të thjeshta. Vajza e një inxhinieri ndërtimi, i cili kthehet në një vrasës të sëmurë dhe herë pas here të pamëshirshëm. Në intervistën e saj, Enxhi rrëfen disa “sekrete” të romanit, raportin mes historisë personale dhe fantazisë e trillit estetik…
-Çfarë është letërsia për Ju?
-Një aventurë spontane e krijuesit drejt vetvetes së tij më të thellë. Është pushteti i njërit prej emocioneve më të bukura njerëzore. Është një magji. Një hapësirë që kërkon gjithmonë të plotërohet, të ridimensionohet gjer në kufijtë e ëndrrës. Një udhëtim ndryshe drejt vetes dhe drejt atyre që më rrethojnë, drejt kohës, historisë dhe përditshmërisë…
-Diçka për jetën tuaj, sa vend zë ajo në krijimtarinë tuaj.
-Shkollën nëntëvjeçare e kam kryer tek “Mihal Grameno”, kurse të mesmen në gjimnanzin “Ismail Qemali”. Që e vogël kam shkruar poezi ese, më pëlqen shumë sporti, veçanërisht volejbolli, i cili është shkaku që rrezikova shëndetin dhe ngela në vitin e dytë të gjimanzit. Personazhi Helena, në roman përfaqëson një pjesë të mirë të intrigave, kurtheve dhe xhelozive me të cilat unë jam përballur në jetën time të gjimnazit. Një pjesë e mirë e personazheve të romanit janë realë. Jam përballur dhe vazhdoj të përballem me shumë individë, të cilët mundohen me xhelozi, kurthe dhe intriga të më kanosin dështime, Por jam e bindur në aftësitë, vlerat dhe intelegjencën time, kështu që arrij të supreoj me sukses çdo vështirësi.
Dëshiroj gjithashtu të përmend se shkaku i ngeljes ishin Belina dhe Greta, të cilat gjithashtu janë personazhe dhe pjesë e romanit. Bënë gjithçka për të më penguar vazhdimin e gjimnazit dhe sipas mendjes së tyre ia arritën. Por realiteti i sotëm po tregon të kundërtën, sepse sot kam superuar çdo vështirësi, po përfundoj studimet në Fakultetin e Drejtësisë, jam autore e një romani dhe po punoj për disa projekte të cilat dua ti lë suprizë për momentin.
-Në romanin tuaj “Diku ku dielli nuk perëndon”, ju me një stil do të thosha rrënqethës dhe të beftë, zbuloni fuqinë e dashurisë njerëzore dhe zhgënjimit, luftën mes iluzioneve dhe humbjes së tye nga realiteti lakuriq. Diçka më tepër…
-Ky roman ka në shtratin e vet narrativ jetën e një vajzë të re që përballet me dilemma ekzistenciale, një histori e pa zakontë, një roman psikologjiko-social që kritika e ka quajtur, “i guximshëm” në qasjen tematike dhe mesazhet që përcjell, i cili godet fort në mentalitetin e shoqërisë, ku rrëfehet historia e Helenës, një vajze në dukje të thjeshtë dhe e dobët por e cila arrin t’iu bëjë ballë sfidave, sëmundjeve dhe kërcënimeve jo të thjeshta. Vajza e një inxhinieri ndërtimi, i cili kthehet në një vrasës të sëmurë dhe herë pas here të pamëshirshëm. Mois, një njeri i cili pranon të bëjë gjithçka vetëm që fëmijët e tij të mos cënohen, por papritur e gjen veten në duart e një hebreu, Xhorxh, i cili e përdor dhe mundohet ta mbajë pas vetes në mënyrë që të mos e ketë rival. Është një roman ku fatet njerëzore ngërthehen në një vorbull të çuditshme, përgjatë një historie, e cila trajton temën e krimit, dështimit, cmirës, paragjykimit, si pjesë të negativitetit të jetës së kujtdo, që kur përfundon me fitoren e pozitives, kthehet në mendësi çlirimi dhe progresi.
-Romani juaj bazohet mbi një histori të vërtetë apo është ngjarje e trilluar? Sa rol luajnë personazhet që përmendët në rrëfimin tuaj…
-Në gjithçka që shkruaj unë marr shkas nga ngjarje të vërteta, që kanë ndodhur ose ndodhin rëndom në jetën e një vajze të re, plot ëndrra për jetën, por që përballet me kurthe dhe intriga shekspiriane. Sigurisht, unë si shkrimtare ngjarjen e përpunoj nën filtrin estetik dhe e bëj të komunikueshme emocionalisht me një shtresë sa më të gjërë njerëzish, që ata të mund të gjejnë vetveten në atë çfarë unë rrëfej. Parë në këtë këndvështrim, ngjarja edhe është edhe nuk është reale, pasi raporti mes të ndodhurës dhe të transfiguruarës nga ana ime në filtrat estetike janë në kufij të padukshëm, aq sa nuk dihet se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Megjithatë, siç ju tregova më parë, në analizë të fundit, kemi të bëjmë me një histori të ndodhur, që pavarësisht filtrave estetikë, në thelb mbetet e njejta, pra e ndodhura reale, historia ime e derdhur në një narrativë romaneske.
-Romani juaj është pritur ngrohtë nga lexuesi dhe kritika profesioniste. Cili mendoni se është çelsi i këtij suksesi?
-Lexuesit e kanë pëlqyer, mjaft prej tyre më kanë shkruar dhe kanë kontaktuar me mua, pasi jo pak prej tyre aty gjejnë vetveten. Janë aty hallet e tyre, përditshmëria ankthioze, dashuritë e mbetura në rrugë, pasionet që iu zihet rruga nga merimanga e intrigës, etj. Sa për kritikët letrarë, besoj se i ka tërhequr jo vetëm subjekti dhe mesazhet e romanit, por dhe stili dhe mënyra e të shkruarit, pasi kam bërë kujdes që të përcjell me realizëm një përvojë dhe emocion njerëzor, të cilin kam dashur ta ndajë me lexuesit e kësaj kohe kaq të ngarkuar…