Kryetari i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ditën e sotme ka folur në lidhje me situatën pandemike në vendin tonë. Lidhur me orën policore e cila është 22:00-06:00, Brataj tha se nuk mund të hiqen të gjitha masat njëkohësisht, ndërsa shtoi se patjetër që në mbledhjen e kësaj jave të Komitetit Teknik do të ketë një lehtësim masash, por nuk preferoi t’i tregonte cilat janë ato.
Më konkretisht, Brataj është shprehur se:
Në të gjithë botën edhe në Shqipëri nuk mund të heqësish të gjitha masat njëkohësisht. Kuptohet që do të ketë lehtësim masash. Edhe në mbledhjen e kësaj jave do të rishikohen masat. Por, mos mendoni se do t’i heqim menjëherë. E vetmja mënyrë është vaksinimi i sa më shumë njerëzve.
Ndërkohë, Pëllumb Pipero i ftuar në një studio televiziv është shprehur optimist se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të rishikojë në mbledhjen e radhës masat anti-Covid, duke lënë të kuptohet se maskat nuk do të mbahen më në ambiente të hapura si dhe do të rishikohet fasha e orës policore.
Pipero ka thënë se:
Jo vetëm ulja e rasteve, por dhe ulja e shtrimeve është dhe ajo e telefonit celularë, mua s’më bie më telefoni tani. Kjo na bën të mendojmë që të rishikohen masat shtrënguese sepse kemi të bëjmë me indikatorë optimalë, por maska mund të rezervohet për ambientet e mbyllura. Duhet ta rishikojë Komiteti këtë masë. Nga fundi i muajit do të shikohet dhe ora policore dhe shërbimi në bare dhe restorante.