Ndryshon Kodi Rrugor. Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në Kodin Rrugor, tashmë që mori “okay” në Kuvendin e Shqipërisë. Një nga ndryshimet më të rëndësishme të Kodit Rrugor, është ai për zgjatjen e vlefshmërisë së patentave deri në 15 vite.
Ndryshime do të ketë edhe në afatet e rinovimit të patentave.
Kështu ndryshimet kanë të bëjnë me:
-Patentat do të kenë afat vlefshmërie deri në 15 vjet, nga 10 vite që është aktualisht.
-Vlefshmëria çdo 15 vite deri në moshën 70-vjeçare do të jetë për patentat e kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, çdo 15 vjet deri në moshën 70 vjeç.
-Zgjatja në 70 vjeç, nga deri 65 që është, e të drejtës për Leje Drejtimi profesionale (me kufizim: Lejedrejtimet e kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, janë të vlefshme për 5 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç; për personat mbi 65 vjeç: lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 ton – lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1.
-Zgjatja e të drejtës për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është!
-Anulohet patenta shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit. Qytetarët mund të rimarrin patentën shqiptare pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse Leje Drejtimi e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Transportit Rrugor ka njoftuar se një nga ndryshimet është rregulli për shoferët e rinj që pajisen me patentat të kategorisë B. Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale DPSHTRR thotë se të gjithë shoferët e rinj që pajisen me patentë të tipit B nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/TON në 2 vitet e para pas marrjes së lejes së drejtimi. Me këtë ndryshim, drejtuesit e rinj të automjeteve nuk mund të drejtojnë automjete me motor deri në 1.5 për ato që punojnë me benzinë apo që janë hibride.