Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga nata e parë në qeli e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një interviste të dhënë për News 24, Lala u shpreh se Tahiri është shfaqur i qetë dhe nuk ka pasur shqetësime në ambientet e paraburgimit të 313-ës.
Sipas saj ish-ministrit i janë dërguar cigare dhe disa rroba për tu ndërruar, ndërkohë që është izoluar totalisht nga të paraburgosurit e tjerë, për shkak të masave për ruajtjen e tij fizike.
“Saimir Tahiri është izoluar në burgun 313 në kryeqytet në godinën numër 2, rreth orës 22:35 të mbrëmjes së djeshme, pasi janë kryer procedurat. Nga bisedimet që unë kam pasur me zyrtarë të burgut që kanë monitoruar nga afër gjendjen e tij, nuk ka shfaqur asnjë shqetësim gjatë natës, përkundrazi është shfaqur i qetë dhe nuk ka bërë asnjë kërkesë.
I janë dërguar cigare dhe vetëm disa rroba për tu ndërruar përgjatë natës. Është në qeli i vetëm, i shkëputur totalisht dhe pa asnjë kontakt me të paraburgosur të tjerë, kjo sepse ka një specifikë në rastin e zotit Tahiri, ka qenë ministër i Brendshëm, më jetëgjati në historinë e Shqipërisë, dhe duke qenë se gjatë kohës së tij janë goditur disa grupe kriminale, mund të përmendim këtu Lazaratin, duhet të merren të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e tij fizike. 313 është një burg i përkohshëm për ish-ministrin Tahiri, pasi më pas ai do të transferohet në një burg tjetër të zakonshëm.
Është vendosur të çohet në një burg të zakonshëm pasi vepra penale nuk është e rëndë, ai u dënua për Shpërdorim Detyre. Është niveli më i lartë i politikanët të arrestuar në Shqipëri”, tha Lala.