Kryeministri Edi Rama ndau në Facebook-un e tij pamje të pallateve të reja në Golem, të ndërtuara në kuadër të Rindërtimit. Kreu i qeverisë shkruan se punimet janë drejt përfundimit dhe 45 familje të prekura nga tërmeti do të strehohen në këto pallate.
Mirëpo ai ka replikuar në komente më një prej ndjekësve të tij, që i shpreh shqetësimin për rritjen e çmimeve në vend.
“O shih çmimet po lëri ndërtimet, se na mbyte 200 lek nafta. Nuk punojmë te gjithë si ju pushtetarët, kemi fatura qe i paguajmë me rroge, a e di se ca është rroga?”, i shkruan komentuesi Ramës.
Në përgjigje, kreu i qeverisë shprehet se është në dijeni për rritjen e çmimeve, por kjo nuk është në dorën e qeverisë. Kryeministri thotë se qeveria po mban nën kontroll çmimin e dritave, që sipas Ramës, ndryshe nga rajoni në Shqipëri nuk ka pësuar rritje.
“I shikoj çmimet si jo, po çmimet ne pazar i ngre dhe i ul tregu jo qeveria, ndërkohë qe pikërisht pse e di mire çfarë është rroga po e mbajmë çmimin e energjisë aty ku ishte, duke e subvencionuar nga arka e shtetit, ndërkohe qe kudo ne rajon e me tutje është rritur kacafiu!
Ndërsa ndërtimet nuk i le ne asnjë mënyrë, sepse ka akoma familje qe duan te kthehen ne shtëpi pas shkatërrimit nga tërmeti”, përgjigjet kryeministri Rama.