Policia e Shtetit kallëzon në prokurorinë e Tiranës ish-deputetin e PD-së, Myslim Murrizi. Ky i fundit akuzohet nga policia se ka fshehur të ardhura financiare duke kryer pastrim të produkteve të veprës penale.
Ish-deputeti Murrizi, sipas policisë ka fshehur të ardhurat duke mos i deklaruar pranë ILDKPI-së.
Murrizi akuzohet nga policia për dhjetëra transaksione bankare të pajustifikuara që shkojnë në shifrën prej 515 mijë euro.
Ish-deputeti Murrizi, këto veprime i ka bërë me kompaninë “Murrizi 2009” dhe me individë të ndryshëm.
Koha e transaksioneve që policia ka verifikuar si të pajustifikuara daton qysh prej vitit 2010 e në vijim.
Informacioni policor i është dërguar prokurorisë së Tiranës për të kryer hetime të mëtejshme. Sipas policisë, Murrizi është dënuar në 14 shtator 2006 me 3 vite burgim për akuzën e mitmarrjes, dënim i cili është konvertuar në shërbim prove.