Sidrit Bejleri ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ku foli mbi qëndrimet e tij në lidhje me muzikën shqiptare. Vetëm pak ditë pas publikimit të këngës më të re më Denisa Gjezon ‘Sa Nji Jetë’, Bejleri shprehu se reagimi ka qenë masiv dhe tepër pozitiv. Ai shprehu se, fatkeqësisht, artistët në shumicën e kohës mundohen tu “hedhin baltë syve” njerëzve me blerjen e klikimeve.
“Industria e muzikës është zhytur në batak. 1 milion views për 24 orë? Më fal, por shqiptarët dihen sa janë në botë. I bie që ata të Amerikës të jenë zgjuar dhe po presin me ankth këngën e shqiptarëve. Flitej dikur që YouTube do vendoste masa, por ai merr lekët. I bie që dhe ai fëmija në maternitet që sa doli nga barku i nënës të klikoj, dhe ai që është me një këmb në varr. U bëm të gjithë këngëtar dhe ka nga ata që s’dijnë ku ndizet mikrofoni.” , tha ai i indinjuar.
Pas pyetjes së Ermalit nëse me të qënit artist për të vjen dhe një detyrë morale të kultivimit të shijeve apo transmetimit të cilësisë në treg, ai tha:
“Nuk dua që nesër pasnesër njerëzit të më thonë ‘Sidrit ju e kishit në dorë dhe na latë të dëgjojmë plehra’. Llumin nuk e shmangim dot mesa duket. Detyra ime si prind, muzikant, artist, është të tregojë cila është pjesa e mirë. Nuk dua që im bir të më thotë ‘bab, nuk më ke thënë cila është e mira dhe e keqja’.”
Por kush po e drejton industrinë muzikore drejt përkeqësimit? Sipas Sidritit, ndonëse artistët mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë mbi supe, faji rëndon edhe mbi pronarët e bizneseve me muzikë live dhe publikut që kërkon muzikë jo cilësore.
“Realisht nuk e kuptoj se si publiku shqiptar pranon të shoh një mikrofon të mbyllur. Kjo në botë nuk ka shans të ndodhë. Nëse publiku kupton se artisti po këndon me playback, digjet salla. Ka parë një këngëtar, nuk dua t’ja përmend emrin, po këndonte me playback normal. Hoqi mikrofonin se i bënte shenja dhe ndërkohë zëri vazhdonte. Publiku shkulte flokët. Unë nuk e kuptoj këtë.” , tha Bejleri.