Rrallë ndodh që murgeshat të bien në konflikt me ligjin. Por tani një murgeshë në Bavari është nën presionin e ligjit, se ka strehuar refugjatë. Çështja e saj mund të vërë në provë traditën shekullore të azilit kishtar.
Nga Miodrag Soric, Deutsche Welle
Kryemurgesha Mechthild, drejtuese e manastirit benediktin në Kirchschletten në Frankoninë e Epërme, është nën vëzhgimin e autoriteteve gjermane. Ndaj saj kanë nisur disa procedime penale për ndihmë, mbështetje dhe për strehim të paligjshëm të azilkërkuesve. Ajo u ka ofruar azil kishtar në manastirin që drejton 30 refugjatëve, kryesisht gra në situata tepër emergjente.
“Kur më morën në pyetje reagova me qetësi, sepse nuk jam e vetëdijshme se kam kryer ndonjë veprim që meriton burgim”, tregon kryemurgesha Mechthild. Ajo mund të dënohet me burg, ose me një gjobë prej 2,500 eurosh.
I pari që kërkoi azil kishtar ishte nga Iraku. “Edhe pse është mysliman atij i pëlqen të na ndihmojë ne në kishë. Ai e kaloi pothuajse të gjithë pragun e Krishtlindjeve me ne këtu në kishë, duke na ndihmuar të vendosnim karriget për koncertin. Ai erdhi tek ne krejt i dëshpëruar dhe i pashpresë.” – tregon kryemurgesha Mechthild.
Zakonisht autoritetet gjermane e tolerojnë azilin kishtar. Nën mbrojtjen e kishës janë aktualisht rreth 500 vetë. Kryemurgesha Mehthild do të nderohet vitin e ardhshëm me Çmimin e Paqes të Gëtingenit. Për këtë atë e mbështet madje edhe pastori protestant Tobias Knötig. “Njerëzit duhet ta kuptojnë që pjesë e fesë sonë është edhe një ideal që duhet të përpiqemi ta ndjekim. Ne duhet të zgjedhim shtigje të ndryshme nga të tjerat, nëse duam të ruajmë besueshmërinë tonë”, thotë Tobias Knötig.