Në Bruç në kufirin mes Matit dhe Mirditës vizitorët po zbulojnë një mrekulli të natyrës. Vetëm 20 km larg nga Mati dhe afro 25 kam larg nga Mirdita, në fshatin Bruç, ndodhen një sërë monumentesh natyrore tërheqëse për vendasit dhe turistët e huaj. Në hyrje të fshatit Bruç, ndodhet burimi i ujit të “Shutrrejës”.
Uji këtu del prej shkëmbit me forcë e krijon re me avuj që bashkë me pemët që qëndrojnë të gjelbëruara në “këmbë” brenda tij, krijojnë një pamje të mrekullueshme. Banorët dhe turistët që vijnë në këtë zonë, e krahasojnë atë për shkak të forcës me të cilën rrjedh uji me ujëvarën e Niagarës.
Burimi i Shutrrejës është shpallur monument natyre. Më parë nga ky burim furnizohej me ujë Uzina e Ferro kromit në Burrel, ndërsa sot nga ky burim furnizohet me ujë një pjesë e qytetit të Burrelit. Megjithatë pak më poshtë burimit, po vazhdon puna për ndërtimin e dy HEC-eve.
Banorët e zonës shpresojnë që në të ardhmen, kjo zonë të kthehet në një destinacion turistik e në këtë mënyrë të ndikojë edhe në zhvillimin e ekonomisë lokale, pasi në rrjedhën e burimit deri në liqenin e Ulzës, mund të zhvillohen edhe sportet e aventurës. Por me ndërtimin e HEC-eve, një gjë e tillë mund të mbetet vetëm një ide në letër.
Jo shumë larg nga burimi i Shutrrejës ndodhen shpellat e Bruçit dhe Laç-Bruçit. Shumë pak është dëgjuar për to dhe ato janë thuajse të pa eksploruara nga arkeologët. Në të katër shpellat, gjen nga një karakteristikë të ndryshe.
Nga shpella e parë, sipër një kodre, shikon luginën e Matit si në pëllëmbë të dorës. Shpella nuk është e thellë, por mjaftueshëm e madhe për të joshur thesarkërkuesit dhe syrit nuk i shpëtojnë gërmimet e bëra. Jo më shumë se 1 km më larg ndodhet shpella tjetër. Natyra nuk është kursyer as këtu.
Ajo ka një hyrje të vogël dhe të ngushtë për afro 50 metra, por më pas shfaqen me stalaktitet e stalagmite qindra vjeçarje dhe disa hyrje-dalje. Banorët e zonës tregojnë se në këtë shpellë janë bërë gërmime për disa javë prej disa personave, të prezantuar si studiues, por banorët e zonës asnjëherë nuk i mësuan rezultatet e atyre kërkimeve apo se kush ishin.
Format në shkëmb të krijuara me mijëra vite, me temperatura disa gradë në zero, janë një panoramë mahnitëse për syrin e njeriut. Lartësia e kësaj shpelle është disa metra dhe ka disa dalje të tjera.
Në Laç-Bruç, në kodrat e fshatit, banorët tregojnë se gjenden rrënojat e një kalaje dhe qyteza e dikurshme, nga më të vjetrat që ka zona. Bletët kanë krijuar habitatin e tyre në këtë zonë. Në shumë zgafella të krijuara në shkëmbinjtë e shpellave, syri të zë bletë që gumëzhijnë.
Në fund të rrugëtimit tonë është shpella e Valit. Mu në mesin e shpellës, ndodhet një hapësirë e madhe në mes shkëmbinjve, ndërsa rrezet e dritës që hyjnë prej çatisë krijojnë një si skenë të ndriçuar në qendër të saj. Aktivistët e Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj që iniciuan këtë udhëtim për të mësuar më shumë për natyrën e zonës së Matit dhe vlerat mjedisore, ndihmuan me shënjimin e rrugës që për turistët të jetë me lehtë gjetja e shtigjeve. /Birn/