Jon Ndoja dhe Mario Deda janë dy miqtë e Luiz Ejllit, të cilët mëngjesin e sotëm ishin të ftuar në emisionin “Wake Up”. Teksa shprehën edhe njëherë mbështetjen e tyre për këngëtarin e njohur, ata gjithashtu treguan edhe disa ‘sekrete të tij’.
Pjesë nga intervista:
Si ka qenë përjetimi juaj pasi takuat Luizin?
Joni: Kur u futëm në shtëpi, nuk kishim shumë emocione por kur erdhi Luizi ndryshoi gjithçka. Pamë një njeri të madh para nesh, ishte rritur, kishte marrë një hije të rëndë. E kisha frikë edhe unë, imagjino ata të shtëpisë.
Mario: Figura, adrenalina dhe energjia që kishte, e kishte shumë të dallueshme. Dukej sikur e kishte lëkurën dy gisht të trashë. Kur na u duk neve kështu, imagjino kur hyn një konkurrent i ri.
Si ka ndryshuar jeta juaj pas takimit me të?
Joni: Ka patur reagim, na njohin, kemi marrë një farë kënaqësie. Por ne për Luizin e bëjmë këtë. Madje na kanë thënë futuni në “Big Brother VIP 3”.
E prisnit që Luizi do bëhej kaq i famshëm?
Mario: Se sa është përmasa nuk e dimë ende se nuk ka statistika. Luizi ka fituar “Ethet” dikur dhe ka qenë orar prime time, ka fituar edhe disa festivale, ka shkuar në Eurovizion. Atij nuk i ndodh rastësisht kjo.
Ju ka thënë ndonjëherë se si do e përdori ai këtë eksperiencë pasi të dalë jashtë?
Joni: Më ka thënë një javë para se të hynte që do ta shtynte sa më shumë që të rifitojë edhe njëherë popullaritetin dhe t’i kthehet muzikës. Por me këtë që i ka ndodhur aty brenda, ai mund të merret me shumë gjëra të tjera.