Miqtë e ngushtë të Luizit flasin për raportin me Kiarën/ Kanë një mesazh për fansat e çiftit

Që pasi Luizi u surprizua nga dy miqtë e ngushtë në “Big Brother VIP”, Jon Ndoja dhe Mario Deda kanë qenë në qendër të vëmendjes me deklaratat e tyre apo detaje të pazbuluara më parë për këngëtarin.



Dyshja kanë treguar së fundmi se çfarë u ka deklaruar këngëtari një javë para se të bëhej pjesë e lojës. Madje ata kishin dhe një mesazh për të gjithë fansat e Luizit që janë shprehur kundër Kiarës dhe veprimeve të saj ndaj partnerit, brenda BBV.

Ata kanë shprehur maksimalisht mbështetjen që kanë për mikun e tyre dhe për lojën që ai po bën brenda “Big Brother VIP” dhe pak javë më parë ata i bënë atij edhe një surprizë brenda shtëpisë.

Si ka qenë përjetimi juaj pasi takuat Luizin?

Joni: Kur u futëm në shtëpi, nuk kishim shumë emocione por kur erdhi Luizi ndryshoi gjithçka. Pamë një njeri të madh para nesh, ishte rritur, kishte marrë një hije të rëndë. E kisha frikë edhe unë, imagjino ata të shtëpisë.



Mario: Figura, adrenalina dhe energjia që kishte, e kishte shumë të dallueshme. Dukej sikur e kishte lëkurën dy gisht të trashë. Kur na u duk neve kështu, imagjino kur hyn një konkurrent i ri.

Si ka ndryshuar jeta juaj pas takimit me të?

Joni: Ka patur reagim, na njohin, kemi marrë një farë kënaqësie. Por ne për Luizin e bëjmë këtë. Madje na kanë thënë futuni në “Big Brother VIP 3”.

E prisnit që Luizi do bëhej kaq i famshëm?

Mario: Se sa është përmasa nuk e dimë ende se nuk ka statistika. Luizi ka fituar “Ethet” dikur dhe ka qenë orar prime time, ka fituar edhe disa festivale, ka shkuar në Eurovizion. Atij nuk i ndodh rastësisht kjo.

Si e shohin miqtë e tij marrëdhënien e këngëtarit me Kiarën dhe lojën e tij? Ja si përgjigjet Mario:

Raporti që ata kanë është zgjedhja e tyre. Ne e shohim shumë bukur për sa kohë që ai është i lumtur, ka gjetur një partnere që e ruan, e tërheq ndonjëherë. Është bukur kur ai e mbron, e dashuron ashtu. Ne na shkruajnë njerëzit, kanë lënë punët e tyre për t’u marrë me “BBV” dhe Luizin. Ky është efekti I Luizit, nuk është rastësi. Ai e ka nivelin e inteligjencës shumë të lartë.



Ju ka thënë ndonjëherë se si do e përdori ai këtë eksperiencë pasi të dalë jashtë?

Joni: Më ka thënë një javë para se të hynte që do ta shtynte sa më shumë që të rifitojë edhe njëherë popullaritetin dhe t’i kthehet muzikës. Por me këtë që i ka ndodhur aty brenda, ai mund të merret me shumë gjëra të tjera.

Po lidhur me situatën e krijuar pasi ai tha se vuante nga një sëmundje e rëndë, çfarë mund të thonë Joni dhe Mario?

Joni: Nuk kam dëgjuar që është i sëmurë, mendoj se ka qenë një moment dobësie. Produksioni nuk mban njerëz të sëmurë brenda, Luizi gëzon shëndet të plotë. Ai e ka thënë që ka bërë gafë të madhe.

Mario: Dikush jashtë e ka fituar “Big Brother” sepse ka thënë që ka një sëmundje të pashërueshme…

A ka thënë Luizi që do të shkojë të jetojë tek familja e tij në Amerikë?

Joni: E ka pasur një variant. Ai është në procedurë për bashkim familjar. Por mendoj se me këtë që i ka ndodhur ndoahta ndryshon.



Çfarë keni për t’i thënë të gjithëve atyre fansave të Luizit që nuk e pëlqejnë Kiarën?

Joni: Unë shoh një konfirmim të Luizit vazhdimisht, sa herë që njerëzit e dyshojnë, ai e rikonfirmon dashurinë që ka për Kiarën. Ai ka treguar që lë edhe lojën për të. Nga njëra anë kanë të drejtë sepse kanë parë disa veprime që nuk u pëlqejnë, por ne duhet të besojmë Luizin.

Mario: Mos ndikoni në jetën e tjetrit, ajo është jeta e tij. Nëse ju pëlqen Luizi, vazhdojmë mbështesim Luizin. Ka aq shumë dashamirës të Luizit, sa i bezdis edhe një mizë që mund të fluturojë në shtëpi.

Të pyetur se kush mendojnë ata se del ditën e shtunë nga shtëpia, mes Armaldos, Luizit dhe Kristit, të dy thanë emrin e Maestros. Nga ana tjetër ata premtuan se do të ketë shumë surpriza të tjera për Luizin brenda shtëpisë.

Author: morevesh