Ministria i paska dhënë 5 yje, qenka bërë dhe “markë ndërkombëtare” kineze/ Gazetarja ironizon hapjen e kazinos në Tiranë

Gazetarja Ola Xama shkruan se në Tiranë është hapur së fundmi një kazino e re, “Imperial Casino”, pranë zonës së Pazarit të ri. Xama ngre shumë pikëpyetje për mënyrën sesi hoteli është markuar me 5 yje ashtu si e kërkon ligji dhe të jetë një “brand ndërkombëtar”.



Shkruan Ola Xama:

Marrëzia e kumarit.

Së fundi, në kryeqytetin tonë ka hapur dyert kazinoja më e re. “Imperial Casino” në afërsi të “Pazarit të Ri” i është miratuar licenca nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit si një kazino e vendosur në një hotel me 5 yje.

Hoteli quhet “Lot Botique Hotel”, ose nëse do iu kujtohet më parë mbante emrin “Pik Loti” ose “Loti 2015”. Ai ndodhet në një rrugicë të ngushtë, në afërsi të restorant “Rozafës”, menjëherë sa merr kthesën. Kur kaloja atje, vetëm hotel nuk më dukej, sepse kthesa dhe cepi ku ishte ndërtuar nuk sillte logjistikë për të funksionuar një hotel e gjithmonë më lindnin pyetjet se si e bëjnë furnizimin, si futen kamionçinat apo si e gjejnë turistët adresën?!



Për çudinë time të madhe hoteli qenka klasifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedist si njësi akomoduese me 5 yje që të marrë licencën për kazino dhe ka një markë që zotërohet nga një firmë kineze me emrin “Hotels & Preference”, në mënyrë që të përmbushë kushtet ligjore të licensimit si “brand ndërkombëtar”.

Imperial Casino, në pronësi të familjes së Pëllumb Gjokës ka patur dhe më parë licencë për kazino elektronike, e cila i humbi fuqinë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Lojrat e Fatit” në janar 2019. Tashmë licenca është marrë sërish.

Që të përmbushë detyrimet ligjore, kompania ka deklaruar 12 milion euro kapital, ku 5 kanë qënë më parë asete të firmës dhe 7 milion euro është bërë vlerësimi nga eksperti si kontribut në natyrë që vjen nga hoteli. Po ashtu ka arritur të sajojë një sallë me makina elektronike që dikur shërbente si lokal dhe ja ku u “plotësuan” kushtet.

Një tjetër licencë per kazino i është dhënë “Radisson Hotel Tirana”. Kompania nuk ka as kapitalin 10 milion euro që kërkon ligji dhe nuk përmbush as kërkesa të tjera të ligjit. Kompania që e zotëron, “Rinia 04” është kallzuar për ndërtim pa leje në vjeshtën e vitit të kaluar nga aksioni që nisi me bekimin e kryeministrit, kur ligji nuk lejon qe aksionerët te jenë nën hetim apo proces gjyqësor. E gjithë procedura se si i është dhënë licenca nga AMLF mbetet e paqartë.

Në vitin 2013 ai që do të fliste për marrëzi në tregun e bixhozit të vendit ishte vetë kryeministri. Unë sot ngre pyetjen se cila është marrëzi më e madhe, tregu kaotik siç ishte, mbyllja dhe rihapja e tyre?



Cili ishte qëllimi i mbylljes dhe hedhjes ne kosh të miliona investimeve kur sërish tregu po kthehet siç ishte? Përse duhen forcuar rregullat, kapitali, të vesh kushte për markë ndërkombëtare hoteli kur shtigjet gjenden? Kapitalin e bëjnë në natyrë sa të duan vetë, gjejnë një kompani hotelsh në Kinë dhe quhen brande, nga ana tjetër filtrat për aksionerët ose mbulohen me emra të tjerë ose kamuflohen me procedura që lënë shtigje për interpretim.

Author: morevesh