Nga gara e pabesueshme në Botërorin e Katar tek e ardhmja e tij dhe e Scalonit e deri te fotografia në shtrat me trofeun e Kupës së Botës. Ai që flet për gazetën argjentinase “Olé” është një Lionel Messi “pa dorashka”.
Në lidhje me pamjet e tij duke fjetur dhe përqafuar trofeun e artë të fituar më 18 dhjetor, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” zbulon një sfond tejet interesant: “Kemi mbërritur në hotel në agim, kemi fjetur shumë pak.
Mendoj se kam fjetur më së shumti një ose dy orë. Ishte gjashtë e mëngjesit dhe tashmë kisha ndezur televizorin në dhomën time. U ngrita dhe shkova në tualet. Si duket, Rodrigo De Paul dhe Otamendi, që ishin në dhomen ngjitur, më kishin dëgjuar që isha ngritur.
Nuk e di pse, por trofeu i Kupës së Botës kishte mbetur në dhomën time atë natë, ma kishin lënë aty. De Paul hyri në dhomën time, e pa trofeun dhe më tha menjëherë: Eja, do të të bëj një foto”.
Për marrëdhënien e veçantë me ish-lojtarin e Udinese, kapiteni i Albiceleste shpjegoi: “De Paul është thelbësor për grupin nga pikëpamja futbollistike dhe njerëzore. Ai është i mirë në de-dramatizimin e situatave.
Njerëzit e shohin se ai gjithmonë bën shaka, por është shumë punëtor kur vjen fjala për detyrat që kryen në kombëtare”.