“Si jeni? A jeni në fushë? Mendoj për ty…” “Faleminderit shumë, unë jam në rrugët e Kievit, është qetë për momentin”. “Ju lutem më tregoni se cila mund të jetë adresa më e mirë për të dërguar ndihmë financiare, ose çfarëdo tjetër që ju nevojitet”. Në kohë lufte, komunikime si ky janë rend i ditës.
Megjithatë, nëse bashkëbiseduesit quhen Sergiy Stakhovsky dhe Novak Djokovic, shkëmbimi merr më shumë kuptim. Pak ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, ish-numri 1 i botës në tenis ka bërë gjithçka pë t’i ndihmuar kolegët ukrainas.
Sot ka qenë vetë Stako, ai që ka publikuar screenshot-in e bisedës së tyre. Karriera e Stakhovsky, një tenist ukrainas që doli në “pension” në janar, përmbante tashmë diçka unike në vetvete për shkak të fitores së arritur më 2013 në “Wimbledon” kundër Roger Federer.
Ditët e fundit, pas pushtimit rus të Ukrainës, vendimi i marrë nga ish-numri 31 i botës për t’u kthyer në vendlindje dhe marrë pjesë në rezistencë i ka befasuar të gjithë. Stako ua kishte besuar lajmin profileve të tij në rrjetet sociale, përmes një postimi emocionues, ku tregon se sa shumë i vështirë ishte ky vendim për të, por edhe më shumë për gruan dhe fëmijët, që nuk e dinë se ku është.
Arsyetimi te familja ishte largimi për të marrë pjesë në një turne tenisi. Stakhovsky shtoi se “fëmijët nuk e kuptojnë luftën, janë shumë të rinj për të kuptuar se çfarë po ndodh në Ukrainë”. Ai arriti në Ukrainë në këmbë, duke kaluar kufirin sllovak dhe, falë marrëdhënieve të tij të mira me shtypin, vazhdon të përditësojë dhe të ofrojë lajme përmes rrjeteve sociale mbi gjendjen e operacioneve ushtarake në Kiev.
Solidariteti i treguar nga Djokovic ishte vetëm i fundit në rendin kronologjik midis shumë tenistëve në të dyja llogoret. Svitolina, Medvedev, Rublev, Pavlyuchenkova, Yastremska, janë vetëm disa nga tenistët ukrainas dhe rusë, të cilët nuk kanë hequr dorë nga pozicioni i tyre në këtë konflikt.
ATP, WTA dhe ITF në një deklaratë kanë bërë të ditur tashmë vendimet e tyre, duke përjashtuar Rusinë dhe Bjellorusinë nga garat ekipore, por duke lënë të drejtën për t’u futur në fushë lojtarëve të tyre, ndonëse të privuar nga inicialet dhe flamujt për të shoqëruar emrat e tyre.