Merr fund arbitrazhi, Shqipëria duhet t’i paguajë 110 milionë euro Françesko Beketit. Gjykata e Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për rihapjen e çështjes me biznesmenin italian.
Gjykata ka refuzuar të rishikojë dëmshpërblimin prej 110 milionë eurosh që Shqipëria duhet të paguaj ndaj pronarit të Agon Channel, televizionit që u mbyll nga arroganca e pushtetit të Edi Ramës, pavarësisht dënimit që drejtësia shqiptare vendosi ndaj biznesmenit italian.
Në një vendim të marrë më 29 mars, një gjykatë e përbërë nga shtetasi amerikan Grant Hanessian si kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës urdhëruan rrëzimin e përshpejtuar të kërkesës për rishikim nga ana e Shqipërisë si qartazi pa baza ligjore.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk ishte vërtetuar se kishte ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e Arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Fushata e supozuar përfshinte procedime penale shqiptare kundër Beketit dhe drejtuesve të tjerë.
Sipas pretenduesve, masat u nxitën nga kritikat ndaj qeverisë nga stacioni i tyre televiziv Agonset, i cili u mbyll dhe pajisjet iu sekuestruan.
Shqipërisë, përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes.