Nga Mero Baze
Nuk prisja kaq shumë reagime ndaj fenomenit “Nëna Liza”. Por me sa duket shpesh jemi viktima të pakicave që na mundin.
Surpriza ishte se ndërsa unë flisja për “pronarin e panjohur” që nuk kishte zë nga shoqëria, ai u shfaq sërish pa zë. Dhe ishte një tragjiokomedi.
Klotilda Ferati, kryetare e Komisionit të ligjeve në Kuvend që thirri për “dëgjesë” nëna Lizën në fakt qenka fiks pronare e tokës për të cilën bëhet beteja tek “5 maji. Ajo nuk e tha këtë në seancë. Nuk e tha as pas seance. Babi I saj ishte revoltuar për heshtjen e së bijës por ajo ishte justifikuar se jam në politikë dhe nuk mund të përdor detyrën për pronën time.
Dhe mirë ka bërë. Kjo tregon në të vërtet kompleksin që ka politika shqiptare nga populizmi dhe metodikën e mbylljes së problemeve për momentin. Dhe në fakt për momentin Klotilda Ferati do ishte shkatërruar nga rivalët nëse në atë seancë “dëgjimore” do thoshte: “Prisni, unë jam trashëgimtare e pronës”. Me siguri do ti turren dhe tani që po ja përmend këtë histori.
Do ta bëjnë këtë, pasi politika shqiptare e ka objektiv të saj përdorimin e dramave sociale, dhe atyre që janë prodhuar nga papërgjegjësia e saj, për të përfituar sërish. Në fillim I lënë njerëzit rrugëve, I kthejnë në ushtarë të tyre dhe I mbajnë peng gjithë jetën duke u ofruar dhurata të paligjshme.
Në çdo fillim fushate, ne kemi falje kamatash energjie elektrike, falje taksash, legalizime, shtyrje afati legalizimesh etj. Dhe kjo është kthyer në të vetmin burim shprese për qytetarët e mjerë shqiptarë dhe në të vetmen platformë elektorale të çdo partie.
Kaosi urban I Shqipërisë e ka zanafillën tek momenti kur politika në Shqipëri vendosi ta shpërblejë paligjshmërinë. Qindra mijëra shqiptarë që tranzicioni u zhvendosi nga vendi I tyre kanë të drejtën e tyre të jetojnë ku të duan. Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore që ju rikthye shqiptarëve pas vitit 1990. Por e ardhmja e tyre do të kishte qenë më e sigurt sikur politika të orientonte zhvillimin bazuar tek e drejta tjetër themelore e qytetarit që është prona.
Kështu do të kishim shumë më pak drama sociale të dyfishta siç kemi sot, edhe nga të zhvendosurit dhe nga pronarët.
Dhe e pash tek një emision televiziv ku një pakicë e banorëve të “5 Majit”, ishin thirrur në emision të shprehnin hallin e tyre dhe në fakt më shumë folën për debatin Basha Berisha dhe kërcënonin se do ishin me Berishën po të mos merrnin truallin që duan. Po kështu dhe një nga tregtarët e produkteve bujqësore në Lushnjë 2 muaj më parë që protestonte para Kuvendit dhe që po ashtu Edi Rama zbriti nga makina dhe I mori në zyrë. Edhe një nga ata tha po nuk na e zgjidhët hallin do shkojmë tek Berisha.
Kjo është shumë domethënëse. Ata kanë identifikuar njeriun që e inkurajon kaosin social në këtë vend, dhe e kanë aleatin e tyre në këtë betejë.
Por në fakt janë pakicë e pakicës në këtë vend. Shumica e heshtur është në anën e ligjshmërisë kundër populizmit. E shikojë në qindra komente që kanë ardhur privatisht pa dashur të bëhen protagonistë të komenteve publike në rrjetet sociale. Dhe askush nuk ka asgjë me “nëna Lizën” apo hallin saj dhe mijëra shqiptarëve të tjerë. Të gjithë e kanë me politikën që gjunjëzohet dhe për interesa të ditës të çastit apo për kriza të vogla duke u bërë aleate me ta.
Klotilda është një prej tyre, e cila do të jetë dhe politikisht korrekte, kur I marrin pronën e saj. Ngjan pak si ata heronjtë e realizmit socialist frymëzuar nga njeriu i mirë Lej Fen. Dashamir Shehi një politikan realist në ligjërimin publik, është po ashtu një prej tyre. Si trashëgimtarë pronash në Tiranë, ai ka rreth 4 milionë euro prona të njohura dhe të pamarra, por në fakt shkonte protestonte krah Kleves Balliut tek Unaza e Re, pasi disa zaptues që po u prisheshin shtëpitë, nuk lejonin ndërtimin e unazës për një vit. Edi Rama bënte sikur nuk i zbonte dot, për tua sjellë në majë të hundës gjithë qytetarëve, duke përfituar fshehurazi nga kjo dramë, por jo haptazi. Shehit I duhej që të rifutej në lista për deputet dhe “hante turpin me bukë”, duke shkuar aty.
Ka dhe plot emra të tjerë politikanësh që mund ta ilustrosh këtë fabul. Personalisht kam respekt për ta, por nuk janë për tu respektuar për atë qe bëjnë si politikan. Të tjerë politikanë të së djathtës dhe të majtës e bëjnë rregullisht këtë.
Thjeshtë duhet ta dinë se ata, nuk kanë humbur thjesht pronat por dhe shumicën e shqiptarëve të heshtur që nuk e pranojnë këtë që po ndodh.