Gazetari i njohur, Alfred Lela dhe 4 alpinistë amatorë kanë kaluar orë tmerri mbrëmjen e sotme pasi siç thotë policia ata kanë rrëshkitur në Malin e Munellës, teksa ishin duke eksploruar.
Vetë Lela ka treguar orët e tmerrit që kanë kaluar, që siç shprehet ai “mendova se e kisha mbyllur me këtë botë”.
Ai rrëfen se teksa kanë prekur majën, një stuhi e fortë ka përshkruar zonën duke e bërë më të vështirë lëvizjen e tyre.
“E kapëm majën, aty nisi një stuhi që frynte në dy krahët dhe na bëri të pamundur kapërcimin në anën tjetër të majës për t’u ulur në një drejtim tjetër. Era ishte e tillë sa që na merrte mbrapsht. U detyruam të iknim mbrapsht. Ishim pa fat, sepse era dhe i ftohti kishin mbuluar gjurmët duke e bërë uljen më të vështirë. Në përpjekje për t’u ulur kemi rrëshqitur 3 prej nesh, unë i pari. Me ndihmë të Zotit jam ndalur aty ku nuk mendoja se do të ndalesha më, mendoja se e kisha mbyllur me këtë botë. Më ka ndaluar një objekt pa shkuar në anën tjetër të shkëmbit.
Kyçi besoj që është thyer, shpresoj të jetë ndrydhur. Një është dëmtuar rëndë, është përcjellë me barelë poshtë. Ndërsa një tjetër është ende i humbur, nuk e dimë sa poshtë është. Na janë dashur rreth 1 orë për të zbritur sepse era ishte forcuar shumë nga i ftohti. Kjo është rezymeja. Ne jemi grup që bëjmë ekspedita prej shumë vitesh. Ishim një grup miqsh që do të bënim ngjitjen e fundit të vitit e ndërkohë unë dhe kameramani po xhironim e filmonim”, tha gazetari Lela për News24.
Bashkë me Lelën ishin edhe Ilir Shyti, Ndoc Mula, Dorian Malaj dhe Gisel Dollani.