Tirana kryeson kampionatin, vërshon drejt titullit të 26-të në histori, ndërsa Partizani synon të kapë Kupat e Europës përmes Superiores. Duke qenë se aktualisht mban vendin e pestë, me 19 pikë me pas se bardheblutë, skuadra e Dritan Mehmetit do të tentojë ngjitjen më lart.
Fundja, kot nuk thonë: për këto dy skuadra kryeqytetase ka më tepër vlerë fitorja në derbi se e titullit! Nga ky këndvështrim e shikon edhe trajneri i Partizanit, i cili do ta ketë derbin e parë si kryetrajner në karrierë. Në konferencën për shtyp, Mhmeti u shpreh:
“Ky është derbi im i parë si trajner, një ndjesi pozitive kur prezanton një skuadër si Partizani. Mendoj se kemi shumë elementë që kanë luajtur dhe kanë fituar në derbi. Kam punuar më shumë psikologjikisht me lojtarët që nuk kanë luajtur një derbi, jam munduar që skuadra të jetë në ekulibër.
Derbi është i paparashikueshëm, shpresoj që të kemi ritmin e duhur. Do të më pëlqente të kishim më shumë kohë për ta përgatitur, pasi kemi luajtur edhe në mesjavë. Megjithatë, të dyja skuadrat e vuajnë këtë problem.
Do ta kemi pak të vështirë si ne, por edhe kundërshtari, pasi kemi luajtur shumë ndeshje këto kohë. Pjesa e Covid na ka dhënë 5 ndërrime dhe kemi mundësi të manovrojmë. Sa do të ndikojë fitorja ndaj Kukësit? Të jem i sinqertë, lojtarët harrojnë shpejt. Mendoj se kemi një bonus emocional pas fitores bindëse me Kukësin, por duhet të jemi në ekulibër e të mos na rrëmbejë euforia.
Kundërshtari? Tirana ka jo vetëm sulmin më të mirë, por edhe një skuadër të ekulibruar dhe mesfushë shumë të mirë. Nëse një skuadër nuk ka një mesfushë të mirë, edhe sulmuesit kanë vështirësi përpara. Edhe ne kemi elementë cilësorë dhe do të mundohemi t’i godasim në hapësirat që do të kenë bardheblutë.
Derbi luhet me zemër, por edhe me logjikë. Çfarë kam ndryshuar te Partizani? Jam mundur t’i jap filozifinë time skuadrës, jam pjesë e klubit prej kohësh. Jam rritur te kjo skuadër, pasi këtu e kam nisur edhe karrierën si lojtar. Po fillon të përshtatet filozofia ime me lojën e skuadrës. Jam mundur të kemi ekulibër dhe një sulm të shpejtë.
Kallaku? Jemi në kontakt, pasi ka pasur ato shqetësimet dhe sot do të marrim vendimin përfundimtar. Shpresoj që edhe Kallaku të jetë pjesë e skuadrës. Presioni i përballjeve të tilla? Derbi mbetet derbi, ka ndjesi të veçantë. Nuk ka ndryshim kur je për titull apo jo. Derbi ka treguar se edhe kur skuadrat kanë pasur diferenca, ka prodhuar situata të ndryshme”.