Zinedine Zidane i dha sinjalet. Pas fitores 2-0 kundër Borussia Monchengladbach që vulosi kualifikimin e Real Madrid në raundin tjetër të Champions, tekniku u shpreh se “nuk do të ishte asnjëherë si Alex Ferguson”. Kjo deklaratë e Zizu cilësohet nga mediat spanjolle si një mesazh i fshehtë se gjithçka ka përfunduar. Sipas tyre, Zidane do të largohet nga pankina me mbylljen e këtij sezoni. Nuk ka asnjë shans të qëndrojë edhe sikur të fitonte të gjithë trofetë e mundshëm.
Trajneri ndjehet I tradhëtuar nga klubi dhe mbi të gjitha presidenti “los blancos” Florentino Perez. Si fillim për merkaton e premtuar kur ai u rikthye në pankiën e madrilenëve. Asnjë nga lojtarët e kërkuar nga Zidane nuk u ble nga klubi në merkaton e verës. Por më shumë se kaq. Trajneri francez nuk i ka pritur aspak mirë lajmet se Real Madrid e kishte bërë gati shkarkimin nëse ai nuk vazhdonte rrugën në Champions, madje kishte nisur tratativat edhe me Maurizio Pochettino. Të gjitha këto e bëjnë largimin e Zinedine Zidane të sigurtë në fund të këtij sezoni.