Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ka miratuar në lexim të parë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për qytetarët e Kosovës do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore.