E ëma e një eksponenti kriminal, që kishte lidhje shoqërore me biznesmenin Ervis Martinaj, rezulton të ketë përfituar disa pasuri, të dhuruara nga vetë “mbreti” i kazinove në Shqipëri.
Bëhet fjalë për shtetasen nga Shkodra Bisere Hato, e cila në dosjen e prokurorisë SPAK rezulton të jetë e ëma e Esmeraldo alias Elio Hato.
Një personazh ky që njihet si njeri i afërt me Ervis Martinaj, duke u ekspozuar në ngjarjen e masakrës së 4 Tetorit 2018 të ndodhur në ish-bllok, ku Hato mbeti i plagosur rëndë.
Në dosjen hetimore të siguruar thuhet se Bisere Hato ka përfituar nga Ervis Martinaj përmes kontratave të dhurimit, dy pasuri. Një pasuri prej 120 m2 me vlerë 8 milion lekë të vjetra, që është blerë nga biznesmeni dhe i është dhuruar më pas Hatos.
Ndërsa një tjetër pronë Truall+Ndërtesë me vlerë 84 milion e 500 mijë lekë të vjetra, është pasuria e dytë që i është dhuruar nënës së Eljo Hatos.
Por SPAK, ka ngritur dyshime të forta se pavarësisht se këto pasuri janë dhuruar me deklaratë noteriale, sërisht ato menaxhohen në mënyrë të pandërprerë nga Ervis Martinaj dhe njerëzit e familjes së tij.
Kjo tregon se kontratat e dhurimit të rregjistruara në hipotekë, kanë qënë “fiktive” duke përdorur Bisere Haton si maskim me qëllim fshehjen e pronarit real të pasurisë, sipas Ora News.
Një tjetër pronë ku Ervis Martinaj del dhurues, është një apartament 105 metra katror në rrugën “Dervish Hima”, që ndodhet pas stadiumit “Air Albania”.
Këtë pasuri Martinaj ja ka dhuruar 46-vjeçares Gelmona Tarja. Ndërsa një pasuri tjetër që SPAK ka dyshime të forta se është dhuruar, rezulton të jetë një vilë në Surrel. Prona ndodhet shumë pranë rrugicës, ku ndodhet vila e kryeministrit Edi Rama në fshatin Surrel.
Kjo pasuri rezulton të jetë në emër të biznesmenit Fatmir Vuthaj. Por SPAK, ka dyshime të forta se pronari real i blerjes së kësaj prone, është pikërisht Ervis Martinaj.
Një muaj pas blerjes së vilës dhe rregjistrimit të saj në hipotekën e Tiranës, Fatmir Vuthaj ka firmosur një kontratë qiraje me Ervis Martinaj, duke ja lënë këtij të fundit të drejtën e banimit në këtë vilë.
Në fillim të muajit Janar 2023, kjo pronë është kontrolluar nga forcat RENEA dhe FNSH-ja, me shpresën e gjetjes së gjurmëve të Ervis Martinaj.
Por në banesë policia nuk gjeti asgjë veç disa rrobave të tij dhe një pasaporte kosovare me foton e Martinaj dhe emrin Admir Kaca. Prej 6 muajsh Ervis Martinaj vijon të qëndrojë i zhdukur.
Ende policia nuk ka një version zyrtar se çfarë ka ndodhur me Martinaj, mbrëmjen e 8 Gushtit, kur ai po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Shijakut.
Prej 17 Majit, Martinaj u shpall në kërkim nga prokuroria e posaçme SPAK, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit se ai e kishte paguar 500 mijë euro në këmbim të vrasjes së Endrit Dokles./Albeu.com/