Mbi 400 kamera “spiune” të çmontuara në të gjithë vendin, si u zbuluan kamerat jashtë banesave të Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me çmontimin e kamerave spiune të vendosura ilegalisht nga grupet kriminale në mbarë Shqipërinë.

Në të gjithë vendin janë çmontuar mbi 400 kamera sigurie të vendosura nga grupet kriminale, për të kontrolluar lëvizjet e policisë.

Ndërsa nën hetim janë vendsur dhjetëra persona të dyshuar.




Mësohet se rreth 14 kamera janë çmontuar dhe sekuestruar nga banesat e Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit në zonën e ish-Parkut të autobusëve.

Po ashtu 6 kamera janë sekuestruar në banesën e Elidon Kotorrit në “Ali Dem”, i dënuar më parë për vrasje. Mes emrave të njohur të krimit të dyshuar për vendosje kamerash në rrugë, është edhe Gjergj Cukalli i njohur ndryshe si ‘i forti i Myslym Shyrit’.

Shumica e kamerave të çmontuara janë me ‘ëireles’, sistem që bën të mundur kontrollimin e tyre nga aparatet celulare. Tirana është qarku ku policia çmontoi më shumë kamera sigurie, mbi 155 dhe ku janë nën vënë hetim 37 persona që i kishin vendosur ato në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që aksioni në këtë qark vijon në zonën e Kombinatit, Kamzës, Vorës dhe në zonat periferike të kryeqytetit.

Ndërsa në të gjithë qarqet, në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnje janë gjetur mbi 200 kamera “spiune” që kontrollonin çdo lëvizje të policisë.

Pjesa më e madhe e personave nën hetim për vendosjen e këtyre kamerave janë të dënuar për vrasje, për trafik lëndësh narkotike, rrëmbim personi dhe vepra të tjera penale, por edhe persona që janë në kërkim nga policia e shtetit.

Sipas policisë qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e policisë.

Kush është Emiljano Shullazi

Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale. Për gjatë viteve, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal





.

Në mënyrë të vazhdueshme ai ka qenë i dyshuar dhe i hetuar disa herë për gjobëvënie dhe shtrëngim me dhunë dhe kanosje për dhënie pasurie, por në shumë pak raste ai është hetuar.

Ndërkaq në mënyrë të herëpashershme ai është hetuar dhe arrestuar nga policia e kryeqytetit për armëmbajtje pa leje, jo shumë larg banesës së tij. Me emrin e tij lidhen shumë ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin që prej vitit 1999.

Në nëntor 2011, ai përfundoi një dënim me burg, për akuzën e trafikut të drogës, ndërsa ishte dënuar 7 vite e 4 muaj burg për trafik droge.

Ai është dyshuar se ka qenë pjesë e një prej bandave më të egra që vepronte në Tiranë dhe në vend, nga e cila numërohen dhjetëra të vrarë për shkak të konflikteve. Pjesë e grupit ku bën pjesë edhe Shullazi, janë edhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, e persona të tjerë, të përfshirë në trafikimin e drogës dhe të shantazhimit dhe kërcënimit për dhënie pasurie.

Pas lirimit nga burgu në vitin 2011, Shullazi u arrestua sërish, si person i përfshirë në kanosje, ndërsa ai u gjet me armë pa leje nga efektivët e komisariatit nr.2. pas 20 në qeli, ai u lirua.

Ndërkaq me 5 janar të vitit 2012, ai mbeti i plagosur pasi ndaj veturës së tij Volksëagen Golf, u derdhën breshëri plumbash nga persona të panjohur.

Shullazi u arrestua dhe në vitin 2013, gjatë zgjedhjeve parlamentare. Ai u denoncua në atë kohë nga Partia Socialiste për presione dhe shantazhe ndaj komisionerëve të partive politike.

Gjatë arrestimit të tij, policia i bllokoi dhe i gjeti radio policie, mjete komunikimi dhe një armë shotgan që mbahej me leje nga një prej personave që shoqëroheshin me Shullazin në momentin e ndalimit. Në 2016 forcat e komisariatit të policisë nr. 2. arrestuan Emiljano Shullazi dhe Gilmand Danin.

Emiljano Shullazit vijon të qëndrojë në fuqi edhe një masë e dytë sigurimi “arrest në burg”, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Vajdim Lamajt dhe Artan Arsit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.

Kush është Pajtim Serjani

Pajtim Serjani i njohur si miku i ngushtë i Emiljano Shullazit është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në janar të vitit 2015 i shpëtoi një atentati për eleminimin e tij, pasi atentatori u qëllua nga efektivi i policisë, që ndodhej me Serjanin.




Pajtim Serjani njihet si person me precedentë penalë, pasi është dënuar për një seri veprash penale nga Gjykata e Tiranës në kohë të ndryshme.

Në shtator 2017 policia i sekestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Author: morevesh