Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, autorë të vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në vitin 2017.
Në të njëjtën kohë, GJKKO ka pushuar akuzën për vrasjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares.
Në atentatin për vrasjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares u plagosën Bujar Turku e Marjus Xhepexhiu. Laert Haxhiu vijon të jetë në kërkim, ndërsa hetimi ndaj tij është pezulluar, dhe në bazë të Kodit të ri pas një viti rinis procesi në mungesë.
Bilbili dhe Kaloshi u dënuan si autorë të masakrës së Lushnjes, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën në 11 tetor 2017 në Lushnjë, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes. Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.
Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht, pasi bashkë me të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec në datë 8 gusht, ku Kaloshi kishte rolin e ekzekutorit, ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici pasi tentoi të largohej.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Orgest Bilbili për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, në dëm të viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Bujar Turku, Marius Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 79/dh, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm” – thuhet ne vendimin e GJKKO-së.