Një ditë pas një nominimit “kokë më kokë” me Oltën, e cila edhe solli largimin nga shtëpia e BBV2, Kiara ka folur në lidhje me përjetimet dhe emocionet e përballjes me realitetin. Përballë Megi Pojanit, Ronaldo Sharkës, Estela Ujkës dhe Eni Shehut, Kiara i është përgjigjur pyetjeve të ndryshme. Ashtu siç pritej, fokusi ishte te marrëdhënia e saj me Luizin.
E pyetur se nëse e kishte imagjinuar jehonën dhe numrin e madh të fansave që ka fituar Luizi jashtë shtëpisë së Big Brother, ajo tha se nuk e priste në këto përmasa.
“E dija që kishte krijuar popullaritet për shkak të dronave që kishin ardhur, por jo në këto përpasa. Nuk e dija që kishte pasur edhe një protestë për të. Ai e meriton plotësisht adhurimin dhe pëlqimin nga publiku”, tha Kiara.
Një pyetje që iu shfaq Kiarës ishte se a do ta pranojë Luizin i cili ka deklaruar se është pa shtëpi dhe pa punë.
“Ditën e parë në BBV Luizi ka hyrë me një valixhe dhe ka thënë unë vetëm këtë kam. Nuk kam asgjë jashtë. Une e kam dashuruar atë njeri brenda një burgu, pa patur asgjë, e kam dashuruar me gjithë shpirt”, deklaroi Kiara Tito.