Klodiana Shala ka çuditur opinionin publik, teksa ka zbuluar se partneri i saj sot është në krah të Luiza Gegës. Në një intervistë, ish-sportistja, ka folur për këtë marrëdhënie të gjatë dhe për faktin se tashmë ish-i i saj është në krah të atletes së njohur.
“Jemi njohur kur isha 18 vjeç e gjysmë dhe jam ndarë kur u bëra 33 vjeç. Janë goxha vite. Kam një tip që edhe po të kisha ndonjë gjë të keqe nuk dua ta them sepse 14 vite nuk janë pak. Nuk më mbajti njeri me zor gjatë asaj kohe. Erdhi një pikë që nuk kishim më respekt për njëri-tjetrin. Por jeta vazhdon, ai vazhdon karrierën pas medaljeve të mia. Ai sot është në krah të Luizës. I uroj të dy kur marrin medalje. Edhe Luizën sepse atë pothuajse e kam rritur vetë.
Si Luiza edhe shumë sportistë të tjerë vinin në shtëpinë tonë. Sepse thoja gjithmonë mua sikur zoti m’i sjell njerëzit që kanë shumë probleme, s’kanë mundësi ekonomike. Dhe kam dashur që të shkojnë të gjithë shumë larg kur kanë talent. Ky ka qenë parimi im, pavarësisht e dinë apo s’e dinë, unë e bëj me dëshirë”, tregoi Shala.
Deklarata e fortë ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, e duket se aspak mirë nuk e ka pritur as vetë Luiza këtë deklaratë.
‘Panorama Plus’ kontaktoi me atleten për ti marrë një reagim në lidhje me atë çfarë Klodiana deklaroi në një intervistë.
“Nuk asgjë për të thënë, sinqerisht jam kaq shumë në fokus tek punët e mia. Nuk është se çuditem nga asgjë që thotë Klodi pasi gjithmonë do gjejë diçka viktimizuese për të patur pak vëmendje. Mund të them vetëm kaq: Kurrë po kurrë, jo vetëm Klodit por askujt jo ti kem bërë keq, por as se kam çuar nëpër mendje. S’kam pasur kurrë konflikt, me Klodin jo e jo, por me asnjë. Ajo që më bën përshtypje është që Klodi flet akoma për një histori të mbyllur më shumë se para 10 vitesh dhe për mbajtje me bukë që ju ka bërë njerëzve nuk është aspak e vërtetë. Por dhe sikur të jetë, më duket shumë gjë e ulët ta përmendësh. Gjithsesi nga Klodi dëgjoj kaq shumë gjëra dhe asgjë s’të bën më përshtypje asgjë”, u shpreh Luiza Gega për Panorama Plus, duke iu kundërpërgjigjur kështu akuzave të bëra në drejtim të emrit të saj.
Kujtojmë se pak kohë më parë Luiza Gega në çdo dalje të sajën ka bërë me dije se është vetëm. Në një prej intervistave të dhënë muajt e fundit për “Panorama Plus”, ajo u shpreh se është vetëm dhe se nuk ka shumë kohë të lirë.
“Nuk besoj që tremb njeri, thjesht koha ime shumë e kufizuar më pengon. Jam e shoqërueshme si natyrë, më pëlqejnë njerëzit me sens humori sepse e tillë jam dhe vetë. Nuk do di si dukem nga jashtë, por ato që më njohin e dinë që jam e tillë. Pra, s’besoj që tremb askënd”, u shpreh Gega.
Madje shpesh herë kampionia e atletikës bënte edhe humor rreth gjetjes së një partneri. “Kjo është një pyetje që më bëhet shumë shpesh. Kur të vij nga Tanzania me luan, atëherë…” – tha Luiza duke shtuar: “Për momentin, nuk është se jam e dashuruar, kam një fokus tjetër… ndoshta sigurisht që jetës duhet t’i shijoj çdo gjë, por për momentin po shijoj këtë”. E teksa në intervistën e fundit, Klodiana foli me superlativa për ish-in, në një tjetër intervistë nuk e kurseu aspak.
“E kam thënë që nga fjalia ime nëse e ke vënë re në disa emisione, unë jam duke vdek, vdes që i dashuri im të jetë xheloz dhe të bëjë vetëm mbas meje që të më shikojë mua si princeshë. Kjo len me kuptu që ishi im ka pas dhe të tjera, kaq edhe shnet, prandaj jam vetëm‘- tregoi Klodiana.
Por pak e dinë se personi në fjalë është pikërisht Taulant Stërmasi. Klodiana dhe tashmë ish-partneri i saj , Taulant Stërmasi janë njohur në gusht të vitit 1996, pikërisht në ditën e ditëlindjes së biondes simpatike.
“Ai merrej me futboll dhe zhvisheshim në të njëjtën palestër. Ka qenë dashuri me shikim të parë. Pas katër pesë muajsh kemi filluar të bashkëjetojmë, ndërsa trajneri im personal është bërë në vitin 2002”, kështu e ka treguar njohjen e saj me Taulant Stërmasin, Klodi në një intervistë të dhënë në vitin 2010 në një nga revistat shqiptare. Kur ishte vetëm 17 vjeçe ajo nisi bashkëjetesën me njeriun që i mori zemrën, edhe pse në atë kohë të bashkëjetoje pa dasmë dhe celebrime ishte një gjë që paragjykohej.
“Atëherë ishte shumë e vështirë për ne dhe asnjë nuk e kuptonte, isha 17 vjeç. E vetmja që e kuptonte bashkëjetesën tonë ishte mami. Ndërsa të tjerët nuk e kuptonin dhe na thonin të martohemi. Në bashkëjetesën tonë unë e Taulanti jemi ndjerë shumë mirë, por njerëzit jashtë nuk janë ndjerë mirë, ishte kohë tjetër me tjetër mentalitet, që duhej të fejoheshe, të martoheshe dhe menjëherë të bëje bebin. Unë jam ndjerë jashtë mase mirë dhe e rekomandoj për të gjithë. Unë vazhdoj të bashkëjetoj prej asaj kohe dhe ende nuk e kemi bërë celebrimin. Ndërkohë që ceremonial dasme nuk më pëlqen fare të bëj”, – ka rrëfyer Klodiana kohë më parë rreth lidhjes së saj.
Nga ana tjetër vitin e shkuar, Taulant Stërmasi është zgjedhur trajneri më i mirë i vitit 2022 nga Federata Europiane e Atletikës. Arritja e madhe e Luiza Gegës, e cila u shpall kampione Europe, bëri që Stërmasi të propozohej nga Federata Shqiptare e Atletikës tek ajo ndërkombëtare për këtë vlerësim. Çmimi i është dorëzuar trajnerit Stërmasi në një ceremoni, ku merrnin pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, si dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi. “Rezultatet e deritanishme ua dedikoj sportistëve të mi, sepse kanë sakrifikuar shumë. Ata kanë derdhur djersë dhe mund në pistat e atletikës. Prej 22 vitesh merrem me atletikën dhe, nëse nuk do të ishin këta sportistë, do të isha një njeri krejt normal”, – është shprehur Stërmasi. Vlerësimi për trajnerin Stërmasi ka entuziazmuar edhe kampionen Luiza Gega, e cila ka theksuar:
“Arsyeja që ia dedikoj rezultatet trajnerit tim është se ka bërë punë të madhe me mua. Kemi 15 vite që punojmë bashkë dhe gjithmonë ka besuar tek unë. Gjithnjë kemi menduar se do t’ia arrijmë, kështu që e falënderoj për çfarë ka dhënë për mua. Pa trajnerin tim, nuk do të isha në këto nivele”. “Objektivi i afërt është kualifikimi për në Lojërat Olimpike Paris 2024, por në të njëjtën kohë të bëjmë më mirë se ky vit që iku bashkë me Luizën dhe atletë të tjerë”, – tha më tej trajneri Taulant Stërmasi.
Por teksa Luiza dhe Taulanti s’kanë folur kurrë për marrëdhënien e tyre si çift, ishte Klodiana Shala ajo që vendosi ta zbulojë këtë fakt. Duket se pas këtyre deklaratave ndaj njëra-tjetrës marrëdhënia mes dy kolegeve mund të quhet e përfunduar dhe ndoshta jo në mënyrën më të mirë.