Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Gjeneralmajor Andrey Sukhovetsky, i cili ishte zëvendëskomandanti i Ushtrisë së 41-të të Kombinuar të Armëve të Qarkut Qendror Ushtarak të Rusisë, u vra dje pasi forcat e mbrojtjes ukrainase zmbrapsën ofensivën ruse.
Vdekja e tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, por u njoftua në mediat sociale nga kolegu i tij Sergey Chipilyov dhe u raportua gjerësisht nga disa media ruse dhe ukrainase.
Daily mail shkruan se një burim ushtarak konfirmoi se ai u vra ‘nga një snajper’ dhe shtoi se një funeral për gjeneralmajorin, deri tani figura më e lartë ruse që ka vdekur në konflikt, do të mbahet në Rusi të shtunën.
Chipilyov, i Unionit të Forcave Ajrore të Parashutistëve Ruse, konfirmoi vdekjen e Sukhovetsky në mediat sociale më herët sot, si ndoshta prova më përfundimtare e vdekjes së gjeneralit.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin tragjik për vdekjen e mikut tonë, gjeneralmajor Andrey Aleksandrovich Sukhovetsky, në Ukrainë gjatë një operacioni special. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së tij,”- shkruhej në postim.
Pas ditësh mohimi, Kremlini pranoi dje se 498 nga trupat e tij janë vrarë dhe 1600 janë plagosur në ‘operacionin special ushtarak’ në Ukrainë, por shifra e vërtetë është pothuajse me siguri më e lartë. Ndërkohë, forcat e armatosura të Ukrainës pohuan sot se ushtria ruse kishte pësuar 9,000 viktima.