Frika nga pasojat e mundshme të luftës Ukrainë-Rusi është reflektuar në Kukës dhe Fier ku qytetarët janë dyndur të blejnë miell. Blerës dhe tregtarë akuzojnë se situata është shfrytëzuar nga tregtarët, që edhe pse kanë rezerva mielli, kanë rritur çmimin në mënyrë abuzive.
Të frikësuar nga pasojat e mundshme të luftës Rusi-Ukrainë, banorë të zonave të thella të Kukësit janë dyndur drejt pikave të shumicës për tu furnizuar me miell duke iu trembur një rritje të çmimeve në vijim.
‘Nga lufta ka ardhur rritja e çmimit, një ditë përpara ka qenë mielli dy mijë lek më lirë, sot ka shkuar 70 mijë kuintali. Interes të madh në masë marrin nga 10-15 thasë se janë në panik. Në fshatra ka kryesisht interes, në qytetin e Kukësit më pak’.- u shpreh një tregtar.
Sipas banorëve, një kuintal miell është rritur me 200 lekë që nga dita e nisjes së luftës, megjithatë asnjëri prej tyre nuk ka një faturë tatimore në duar për ta faktuar këtë pretendim. Jashtë kamerës tregtarët e miellit në Kukës pohojnë se rezervat e miellit janë të mëdha dhe mohojnë të ketë rritje të çmimeve.