Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka bërë apel qeverisë që të marrë masa dhe vërë në zbatim dy propozimet e hershme të saj, për uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20 në 6 për qind dhe heqjen e taksës prej 240 lekësh për litër mbi karburantin.
Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati ka folur për situatën e rëndë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë që, sipas tij, do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit.
“Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit, është e qartë për të gjithë. I bëj thirrje qeverisë të rimarrë në shqyrtim dy masa të propozuara nga Partia Demokratike: uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20 në 6 për qind dhe heqjen e menjëhershme të taksës Rama mbi karburantin prej 240 lekësh për litër. Ndonëse kjo situatë vjen prej zhvillimeve jashtë vendit, është detyrë e menjëhershme e qeverisë të marrë masa dhe të bëjë transparencë duke informuar qytetarët, pa asnjë vonesë, sepse ndërkohë mediat kanë nisur të raportojnë blerjet masive të produkteve bazë nga qytetarët. Por është e qartë për të gjithë se agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimet e drithërave dhe vështirësimi i sigurimit të tyre, te çmimi i karburanteve dhe, për rrjedhojë, edhe i produkteve dhe shërbimeve të tjera. Paniku nuk ndihmon në këtë situatë, e vështirëson atë. Prandaj duhet menjëherë veprim, transparencë dhe informacion nga qeveria”, tha Basha.
Teksa pohoi se Shqipëria është e sigurt për shkak të anëtarësisë në NATO, sipas Bashës, qytetarët duhet të ndihen të sigurt edhe në aspektin ekonomik. Kryetari i PD-së i kërkoi qeverisë që të bëjë publike gjendjen e rezervave të shtetit dhe të hartojë menjëherë një plan masash për sigurimin në sasi të mjaftueshme të tyre, pasi gjysma e qytetarëve kanë vështirësi të mëdha ekonomike.
“Këtu, në vendin tonë, na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat e kësaj lufte. Sot siguria jonë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe falë faktit se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Për këtë arsye, sot i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat edhe në kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit, është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre”, tha Basha.