Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, zbardhi itinerarin e Dan Hutrës, autorit të vrasjes së trefishtë dhe plagosjes së 3 grave në Kamëz e Tiranë.
Ashtu siç u raportua edhe më parë në media, Hutra fillimisht ka plagosur me thikë ish të dashurën në Astir 40-vjeçaren iniciale M.G.
Më pas kreu 2 vrasjet dhe dy plagosjet në banesën e ish-bashkëshortes dhe në fund ka shkuar në shtëpinë e Etleva Kurtit, ku ka ekzekutuar me armë edhe këtë të fundit.
Pjesë nga deklarata:
Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.