LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS JOSEPH BIDEN

  • Marrëveshja e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë e përqendruar në njohjen reciproke mund të arrihet vetëm me angazhimin e plotë të SHBA-ve

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ * /GAZETA “DIELLI”

I nderuari Zoti President Biden,
Unë do të doja të adresoja një çështje të rëndësishme të politikës së jashtme me të cilën jeni marrë gjatë pjesës më të madhe të jetës suaj politike shumë të suksesshme në Amerikë – ngjarjet tragjike pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Angazhimi dhe udhëheqja e juaj personale në ndalimin e katër luftërave të tmerrshme të shkaktuara nga shteti kriminal i Serbisë, i udhëhequr nga krimineli i luftës Slobodan Milosevic, ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së miliona civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Përkushtimi juaj për mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut, paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore është i admirueshëm. Kjo çështje është shumë e ndjeshme për zemrat e qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, të cilët i kanë shpëtuar shtypjes serbe dhe asaj komuniste dhe po përjetojnë ëndrrën amerikane në vendin më të mirë të botës.
Unë kurrë nuk do ta harroj fjalimin tuaj frymëzues të mbrëmjes në New York, organizuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi më 28 Prill 2002.
Ju thatë : “ Derisa populli serb të shikojë veten në fytyrë, të kuptojë se çfarë kanë bërë udhëheqësit e tyre, ata nuk do të jenë në gjendje të heqin këtë nocion të viktimizimit, ata kurrë nuk mund të shërohen nga sëmundja se ata janë të shtypurit dhe ky cikël do të vazhdojë dhe do të vazhdojë…”
Fatëkeqësisht, ata nuk i dëgjuan këshillat tuaja miqësore. Më shumë se dy dekada më vonë, Serbia nuk ka ndryshuar shumë, kështu që cikli po vazhdon. Qeveria shoviniste serbe e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, media e kontrolluar dhe kisha ortodokse serbe, po manipulojnë ende me popullin serb duke promovuar urrejtje për kombet fqinje, veçanërisht për popullin shqiptar, bazuar në gënjeshtra dhe në “të drejtat historike” të tyre të rreme. Nacionalisti, shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiq ka deklaruar “Gënjeshtra është virtyti më i lartë i popullit serb… Serbët janë shpëtuar kaq shumë herë në histori me gënjeshtra”.
Serbët kurrë nuk kërkuan falje për genocidin ndaj popullit shqiptar, ata e konsiderojnë veten si viktima dhe ende po e luajnë rolin e viktimës. Populli i Kosovës është në zi edhe sot, më shumë se 1500 njerëz janë ende të zhdukur. Shumë kriminel lufte ende ecin të lirë në Serbi dhe territore tjera të kontrolluara prej tyre. Vrasësit e tre shtetasve amerikanë vëllezërve Bytyqi ende nuk janë dënuar. Serbia nuk është ndëshkuar për krimet kundër njerëzimit. Drejtësia ende nuk është vendosur.
Sjelljet destruktive armiqësore serbe kundër Kosovës, janë bërë më agresive pas fitores suaj të Presidencës në Amerikë dhe akoma më shumë pas zgjedhjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Kosovë. Ata kanë frikë nga ju sepse e dinë që ju e kuptoni situatën në Ballkan më mirë se kushdo tjetër, se ju qëndroni për një zgjidhje paqësore, të paanshme, të vërtetë dhe të qëndrueshme të konfliktit shqiptaro-serb, bazuar në drejtësi për të gjithë. Ata kanë frikë nga Z.Kurti dhe Znj. Osmani, sepse e dinë se ata janë udhëheqës pro-perëndimorë, të pakorruptuar, të shkolluar, të aftë, të patrembur dhe shumë të popullarizuar.
Kohët e fundit, nacionalistët serbë u janë drejtuar për ndihmë aleatëve të tyre në Evropë, të cilët kanë mirëkuptim ndaj qëllimeve të tyre shkatërruese, përfshirë parlamentarë racistë francezë dhe politikanë të tjerë që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian të cilët nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Njëri prej tyre është emisari i BE-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Z. Miroslav Lajcak. Ai i ngjan më shumë një misionari serb se sa një ndërmjetësuesi të paanshëm. Ai tashmë ka treguar paragjykimin e tij kundër Kosovës, duke kërkuar ndryshimin e kushtetutës së Kosovës me qëllim të krijimit të asociacionit të komunave të pastra etnike serbe dhe duke dhënë një intervistë me hartë në prapavijë e cila e tregon Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo plotësisht në kundërshtim me vlerat e proklamuara perëndimore të multietnicitetit dhe bashkëjetesës paqësore të nacionaliteteve të ndryshme.
Ajo që është edhe më shqetësuese, Serbia po vazhdon me spastrimin etnik të popullit shqiptar në pjesën veriore të Kosovës dhe atë jugore të Serbisë. Kohët e fundit, presidenti serb Vuçiq ka takuar nacionalistë serbë, shovinistë dhe huliganë të udhëhequr nga Lista Srpska, duke u dhënë atyre udhëzime se si të pengojnë në një situate të re të krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ata po përdorin dhunë edhe ndaj serbëve që nuk pajtohen me politikat e tyre si Z. Nenad Rasiq, djali i të cilit u rrah keq në mes të ditës nga mbështetësit e Vuçiq. Znj. Rada Trajkoviq, një aktiviste serbe për të drejtat e njeriut ka deklaruar se ndihet e kërcënuar nga Vuçiq. Ekziston mundësia për më shumë dhunë të organizuar nga serbët me qëllim të destabilizimit të mëtutjeshëm të Kosovës.
Politika e Bashkimit Evropian e përkëdheljes së agresorit (Serbisë) dhe e presionit mbi viktimën (Kosovën) për 22 vjet , thjesht dhe logjikisht ka dështuar. Diplomatët perëndimorë janë përpjekur më kot për ta larguar Serbinë nga aleanca me Rusinë dhe Kinën në kurriz të popullit shqiptar. Ky lloj akomodimi i oreksit serb për grabitjen e tokave shqiptare është kaq i gabuar. Serbët janë rrëmbyes famëkeq të tokave të huaja që kurrë nuk ndalen, derisa të binden se nuk ka mundësi për të grabitur më.
Qeveria despotike e Putinit po i mbështetë kërkesat e tyre për një “Serbi të Madhe” e cila u shërben aspiratave hegjemoniste ruse në Evropën Jugperëndimore. Ky projekt i planifikuar mirë është zbatuar nga serbët për më shumë se një shekull. Është i paraparë në detaje nga politikani serb Vaso Çubriloviq në librin e tij të quajtuar “Zhdukja e shqiptarëve”. Qindra mijëra civilë shqiptarë janë vrarë ose detyruar të emigrojnë në Turqi dhe vende të tjera. Misionarët e ndryshëm antishqiptarë po përpiqen ta ngatërrojnë atë duke e krahasuar me një projekt për të ashtuquajturen “Shqipëri e Madhe” i cili nuk ekziston. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të kishte një plan konkret dhe përpjekje të organizuar për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare të Serbisë Jugore ( Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Nish, Toplicë, Kurshumli dhe Sanxhak), Maqedonisë Perëndimore, Malit të Zi Jugor dhe Greqisë Veriore me Kosovën dhe Shqipërinë.
Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari paraqet kompromisin më të madh dhe më të dhimbshëm që Kosova duhej ta bënte për të marrë një pavarësi të kufizuar dhe të mbikqyrur – shtet multietnik edhe pse më shumë se 90% është shqiptar, flamur pa simbole kombëtare, hymn kombëtar të pakuptimtë dhe të drejta të jashtëzakonshme për pakicën serbe si askund tjetër në botë. Prapëseprap, Kosovës vazhdohet ti bëhet presion nga disa diplomatë perëndimorë për të bërë më shumë kompromise, tashti në bisedime me agresorin, Serbinë shoviniste, e cila kurrë nuk i ndali përpjekjet për shkatërrimin e Kosovës. Do të dëshiroja që këta ndërmjetësues ta kuptojnë njëherë e përgjithëmonë. Mjaft është mjaft. Nuk mund të bëhen negociata dhe as kompromise me lirinë e një populli, kurrë. Edhe vetë zoti Ahtisaari në një intervistë për gazetën Kroate “Vecernji list” me 22 Korrik 2012 tha: “Nëse Serbia ka dëshirë le të shkojë te Rusia, nuk mund të pranohen koncesione tjera”
Kurrë nuk do të ketë zgjidhje pa përfshirjen e plotë, të përhershme dhe serioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja për Normalizim Ekonomik nën kujdesin e Adiministratës Trump, e nënshkruar në Uashington më 4 Shtator, 2020, ishte një fushatë publiciteti e organizuar nga një diplomat shumë jokonvencional, jodiplomatik, Z. Richard Grenell. Ai ndihmoi në shkarkimin e qeverisë demokratike të Albin Kurtit për të krijuar një qeveri kukull të Avdullah Hotit, e cila rezultoi në nënshkrimin e marrëveshjes e cila shërbente ekskluzivisht për interesat serbe. Kjo gjë u bë me shpresë që paratë dhe votat serbo-amerikane në shtetet konkurente si Michigan, Illinois, Wisconsin dhe Pennsylvania do të ndihmonin në zgjedhjen e Presidentit Trump. Edhe pse humbën, Z. Grenell vazhdon të sulmojë qeverinë në ardhje të Kurtit, të dalur nga zgjedhjet e lira demokratike, madhështore dhe historike. Shpresoj se Administrata e juaj do ta shpërfillë marrëveshjen e tij të parealizueshme pro-serbe si dhe pikëpamjet e tij jokonstruktive.
E vetmja gjë e mirë që doli nga kjo marrëveshje ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, një akt i vonuar që pritej nga një vend demokratik proamerikan i bazuar në marrëdhënjet e shkëlqyera historike midis popullit hebre dhe shqiptar. Edhe kjo njohje e drejtë erdhi me polemika rreth vendosjes së Ambasadës në Jeruzalem, për shkak të kundërshtimit të fortë nga Evropa. Kjo situatë mundë të zgjidhet vetëm me angazhimin dhe udhëheqjen e Amerikës. Nga ana tjetër, qeveria serbe nuk ka bërë asgjë në realizimin e premtimit të tyre për të zhvendosur Ambasadën nga Tel Aviv në Jeruzalem. Si zakonisht, ata po vazhdojnë të luajnë rol të dyfishtë: mirëkuptim për palestinezët dhe miqësi me shtetet si Irani, ndërsa gënjejnë dhe përpiqen t’a bindin Izraelin se problemi i serbëve me shqiptarët është i njëjtë me konfliktin izraelito-palestinez.
Realiteti është se konflikti midis Kosovës dhe Serbisë është politik dhe mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike. Një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e përhershme nuk është e lehtë, por është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Duhet të fillojë me kuptimin dhe pranimin nga populli serb se serbët nuk janë viktimë, gjë e cila e krijon mundësinë për kërkim falje dhe përpjekje serioze për kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës. Kjo do të bëjë të mundur një dialog konstruktiv midis dy palëve të barabarta, i cili duhet të ndërmjetësohet nga diplomat të paanshëm amerikanë dhe evropian në arritjen e një marrëveshjeje për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të njejta njerëzore dhe nacionale për pakicat serbe që jetojnë në Kosovë dhe popullin shqiptar në Serbi. Rezultati përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve në kufijt aktual, pa komuna të pastra etnike dhe pa status ekstraterritorial për institucione dhe monumente fetare kudo qofshin ato. Kjo mund të arrihet vetëm me presion të vërtetë diplomatik, ekonomik dhe politik mbi Serbinë nga Amerika dhe Evropa.
Z. President, në fjalën tuaj theksuat që Amerika duhet të qëndrojë e angazhuar deri sa të kryhet puna. Unë jam i sigurt se keni njohuri, përvojë, mençuri dhe fuqi të mjaftueshme për ta përfunduar këtë punë. Ju tashmë e keni siguruar vendin tuaj në historinë amerikane duke u bërë Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Suksesi i arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare dhe të drejtë midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë trashëgimia e juaj e përhershme në historinë e kombit shqiptar, bashkë me Presidentin Wilson, Presidentin Clinton dhe Presidentin Bush. Për më tepër ju gjithashtu do të hyni në historinë serbe si lideri amerikan, i cili e ndihmoi kombin serb të lirohet dhe çlirohet nga djalli përmbrenda.
Gjatë gjithë historisë, populli shqiptar ka treguar respekt dhe tolerance të pakrahasueshme për besimet e ndryshme fetare, racat dhe grupet etnike. Asgjë nuk e ilustron këtë më mirë sesa shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetuan ose arritën në tokat shqiptare duke ikur nga persekutimi nazist gjatë Holokaustit. Jam shumë krenar që babai im Arif Aliçkaj ishte pjesë e kësaj përpjekjeje fisnike mbarëshqiptare, e njohur me rezoluten amerikane H.Res. 812 në nëntor të vitit 2012. Si njëri prej kombeve më të vjetra të civilizuara të Evropës Jugperëndimore, populli shqiptar i ka dhënë botës shumë personalitete të mëdha si Skënderbeu, i cili për 25 vjet me radhë e mbrojti Evropën nga pushtimi i Perandorisë Osmane dhe Shënjtores Nënë Tereza, simbolit të humanizmit dhe kujdesit për njerëzit e vuajtur dhe me nevoja në të gjithë botën.
Populli shqiptar kurrë nuk e ka sulmuar ndonjë komb tjetër, ai gjithmonë i ka luftuar pushtuesit e huaj për të mbrojtur shtëpitë e veta dhe fëmijët e vet. Krejt çka don ky popull në këtë moment, është e drejta për të jetuar i lirë në tokat e veta stërgjyshore. Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj evropiane pro-amerikane. Ka ardhur koha që Serbia të zgjedhë a do të bëhet pjesë e Evropës demokratike apo do të mbetet nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës, me të gjitha aspektet negative që sjellin sistemet totalitare.
Është fakt i vërtetë që populli shqiptar e do Amerikën më shumë se çdo komb tjetër në botë, ndërsa populli shumicë serb anon gjithnjë kah Rusia para Amerikës. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë.
Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin amerikan !
Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

*Per me shume informacione, intervista,histori, letersi, komunitet, na ndiqni në gazeten dielli online

Author: admin