Enveri është një baba që rriti dy djem i vetëm. I lante, i hekuroste para se të iknin në shkollë. Ishte shembulli i klasës së djemve të tij. Këtë histori mjaft frymëzuese e tregoi sot në “ E Diela Shqiptare” në rubrikën “ Ka Një Mesazh Për Ty”. Enveri nga Korça, u divorcua nga e shoqja kur fëmijët ishin ende të vegjël. Ai vendosi t’i mbante i vetëm të dy ata pasi nuk donte që të rriteshin pa njëri- tjetrin.
Historia e tij tregon se sakrifica e prindit nuk njeh limite, mund të bëjë përtej vetes çdo gjë që fëmijëve mos t’i mungojë një jetë e lumtur.
Ardit Gjebrea: Si ia del një baba që të rrisë dy djem?
Enveri: Ndoshta e kanë të vështirë gratë të rrisin fëmijë pa praninë e burrit, por shumë e vështirë të rrisësh fëmijë pa praninë e nënës.
Ardit Gjebrea: Si është Enver, më trego pak?
Enveri: Nuk e di. Merrja të voglin e vija në punë. Të madhin ia lija nënës. Vija shpejt nga puna, e çoja të madhin në shkollë, tjetrin në kopësht. Njerëzit e punës më kanë ndenjur shumë afër. Më kanë ndihmuar, nëna po, motra, kam dy motra dhe një vëlla. Por shumë sakrificë e madhe. Arrija që i laja plaçkat me dorë të fëmijëve, të mos e lodhja nënën aq shumë. Ajo më shikonte dhe bënte punë, pa ardhur unë që të mos lodhesha.
Ardit Gjebrea: I laje, i shpëlaje ti?
Enveri: Po.
Ardit Gjebrea: Po për të gatuar?
Enveri: Për të gatuar, kur bëra ushtrinë bëra një kurs kuzhinieri atë kohë dhe sot më vjen shumë dorësh të gatuaj.
Ardit Gjebrea: Pra ti gatuaje, laje, shpëlaje që djemtë t’i gjenin gjërat gati?
Enveri: Po. E them me bindje që i hekurosja, pastaj i çoja në shkollë. Kur bënin mbledhjen e prindërve, thoshte mësuesi: “Hajde ju nëna shikoni. Ky është vetëm dhe shikoni si i sjell”.
Ardit Gjebrea: Cili është motivi që keni ardhur sot?
Enveri: Sot është motivi se këta, u rregulluan, i dyti bëri celebrim. Tani ata janë të lidhur shumë me mua. Nuk ka orë pa komunikuar me mua. Dhe dua t’iu them që ata të shikojnë punën e tyre, të jenë të lumtur, siç jam unë i lumtur për ata që mund të them se 90 % detyrën time them se e kam kryer por s’do të thotë që s’do jem më afër atyre sa të jem gjallë./tvklan.al