Maqedonia e Veriut- Nje arratisje spektakolare ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut.
Bekim Memeti është i dënuari i dyshuar, i cili u arratis teksa po trasnportohej nga burgu i sigurisë së lartë Idrizova në spitalin “Nënë Tereza”.
Memeti i cili rezulton i dënuar me 40 vjet burg për vrasje, mësohet se kishte planifikuar në detaje arratisjen e tij. Dyshohet se ai është ndihmuar nga persona brenda burgut për të inskenuar arratisjen, si edhe nga persona të tjerë në vendin e ngjarjes që bënë të mundur largimin e tij me një automjet tip Audi.
Sipas mediave maqedonase, i dënuar i ka shkaktuar lëndime vetes dhe ka kërkuar transportimin në spital për mjekim të specializuar.
Gjatë dërgimi në spital persona të armatosur i kanë bërë pritë furgonit të burgjeve ku ndodhej Bekim Memeti. Më pas ky i fundit ka arritur t’i marrë armën shoferit të mjetit dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur. Efektivi i burgjeve H.I., është dërguar në spital për mjekim të specializuar, ndërsa s’dihen detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Personat e armatosur dyshohet se e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe dyshohet se kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do të transportonin të Bekim Memetin, si edhe intinerarin e lëvizjes.
Vrasja për të cilën është dënuar i arratisuri ndodhi në Reçicë e Vogël në vitin 2016. Ai u dënua në mungesë dhe në vitin 2020 u arrestua në Berlin të Gjermanisë dhe më pas u ekstradua.