Klaudio Dhespo ose ndryshe “Toquel”, është reperi që po çmend klubet greke.
Një sherr masiv në një lokal nate në Patra, teksa ai po përformonte, për pak sa nuk përfundoi në “masakër”.
Ishte policia ajo që ka ndërhyrë për t’i dhënë fund sherrit, gjatë së cilit janë plagosur disa prej spektatorëve, siç tregoi reperi.
Nga Tepelena në Greqi në krahët e babit dhe të nënës
“Kam 25 vite në Greqi, kam ardhur kur isha vetëm 9-muajshe nga Tepelena e Shqipërisë në kurrizin e babait dhe nënës. Ishim të parregullt, pa letra, por jo të paligjshëm. Babi im ishte njeriu për “gjithçka”, punonte si hidraulik, elektricistë, bënte riparime dhe nëna ime ishte pastruese dhe kujdesej për një grua që jetonte pranë shtëpisë tonë.”
Problemet në shtëpi! Bixhozi dhe dhuna në familje.
“Kur shkova në shkollën fillore filluan problemet. Trazirat në shtëpi, babai im ishte mizor dhe nëna ime u sëmur. Babai nuk pinte por merrej me kumar, luante shumë. Ai abuzonte me nënën time. Ai ka ngrënë dru, nuk është gënjeshtër, shumë dru, edhe unë kam hyrë në mes, mbaj mend që i rashë në grusht babit.. Është një fenomen i zakonshëm në ditët e sotme. Unë njoh të tjerët që e njohin. Nga Shqipëria, nga Bullgaria, nga Rumania, nga Greqia, nga ku të doni. Shumë baballarë kanë problemet e tyre, problemet e tyre psikologjike dhe shpërthejnë tek gruaja”, tregoi ai për fëmijërinë errët. Vështirësitë vijuan edhe pasi babai u largua nga shtëpia.
Babai i tij u largua nga shtëpia kur ishte rreth 9 vjeç dhe krijoi familje me një grua tjetër në Shqipëri. Më pas Klaudio i vogël filloi të punonte dhe të ndihmonte nënën e tij.
Si u bë muzika dhe droga pjesë e jetës së tij?
Ai filloi të merrej me muzikë në klasën e 6-të, ndërsa në magjinë e repit u përfshi kur vëllai i tij i madh solli në shtëpi filmin “8 mile” me reperin e njohur Eminem.
Nga viti 2008 ai filloi dalëngadalë të shkruante dhe publikonte këngë, por suksesi erdhi pas 11 vitesh, në vitin 2019.
Fatkeqësisht nga pasioni i tij më i madh që ishte muzika për vite me radhë, nuk fitonte para mjaftueshëm për të jetuar dhe në këtë moment, droga erdhi në jetën e tij. Tregtia e hashashit dhe kokainës. Ai vijoi tregtimin e drogës derisa një ditë “i thirri mendjes” dhe i tha vetes së nëse do të vazhdojë kështu do të përfundojë në burg, ndaj dhe i dha fund!
Suksesi erdhi në 2019!
Suksesi për reperin e ri me ëndrra nga Shqipëria erdhi në vitin 2019! Në tre muajt e parë, kënga arriti mbi 9.5 milionë klikime në youtube dhe qëndroi në vendin e parë në Top 50 në Spotify greke për 16 ditë. Në vitin 2020 publikon një tjetër hit me titull “Pistol”, ku numëron 17 milionë shikime, ndërsa prillin e kaluar u publikua kënga “Diamante”.
Pse “Toquel”?
Emri është frymëzuar nga një psikiatër, i cili e ka ndihmuar gjatë krizave të paniku që ka pasur ndër vite. Ky psikolog-psikiatër kishte një kanal në YouTube të quajtur Toquel , i cili i tërhoqi menjëherë vëmendjen e Klaudios. Kështu ai u bë “Toquel”.
Eksperiencat më të hidhura
Një fëmijëri e vështirë për Klaudion, i cili në moshë të vogël përveç problemeve në shtëpi dhe krizat e paniku, iu desh të përballej edhe me problemet shëndetësore të së ëmës e cila vuan nga sëmundja e parkinsonit. Por ngjarja që shënoi jetën e tij, ishte vdekja e vëllait të madh me motor, diçka që e bëri të urrente makinat.
Shumica e teksteve të këngëve të tij janë nga përvoja personale, ndërsa siç ka deklaruar herë pas here “Këngët e mia u drejtohen atyre që jeta i sprovoi, por në fund ia dolën. Besoj se jam një shembull pozitiv që disa duhet ta shikojnë dhe të kuptojnë se asgjë nuk është e pamundur, se kudo që të jesh, çfarëdo që të kesh, ka gjithmonë një rrugë. Ajo që duhet të gjesh është forca brenda teje, askush nuk mund të të ndihmojë aq sa ti” deklaronte ai.