Ishte i veshur me uniformë policie në protestën e opozitës, nën hetim një 21-vjeçar nga Durrësi.
“Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë vijuar monitorimet në terren, për mbarëvajtjen e tubimit dhe për evidentimin e çdo paligjshmërie.
Gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.
Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, shtetasin G. H., 21 vjeç, banues në Durrës, dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u procedua penalisht, në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, janë shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftimin për shtyp.