Drejtoresha e Teatrit Kombëtar në Moskë, Elena Kovalskaya ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e saj pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.
Ajo e quajti publikisht “vrasës” Putinin, dhe tha se nuk mund të vazhdonte të merrte një rrogë prej tij.
“Miq, në shenjë proteste për pushtimin rus të Ukrainës, po lë postin tim si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar. Është e pamundur të punosh për një vrasës dhe të marrësh rrogë prej tij. Do t’i çoj gjërat deri në fund”, shkruajti në rrjetet sociale Kovalskaya.
Konflikti i Rusisë me Ukrainën ka qenë i pranishëm prej vitesh, por është përshkallëzuar në mënyrë dramatike javët e fundit. Rusia mblodhi një numër të madh trupash rreth Ukrainës , deri në 190,000, sipas vlerësimeve të SHBA-së në operacionin më të madh ushtarak në rajon që nga Lufta e Dytë Botërore.
Putin të hënën njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste të mbështetura nga Moska në Ukrainën lindore Luhansk dhe Donetsk dhe urdhëroi ushtarët e tij të futen me mision paqeruejtës atje. Por ditën e sotme Putini autorizoi një sulm në shkallë të plotë në Ukrainë, dhe tashmë beteja vijon në të gjithë territorin.