Aktori i njohur Astrit Çerma ka sulmuar kolegen e tij Rajmonda Bulku, pasi kjo e fundit u shfaq në spotin e Sali Berishës, për protestën e thirrur nga PD më 3 mars.
Në spot, Rajmonda Bulku shfaqet si “Nëna Shqipëri”.
Çerma e akuzon Bulkun se ka shitur shpirtin tek një njeri si Berisha, që e ka shkatërruar këtë vend.
“Kur kërkosh të bëhesh “Nëna Shqipëri”, ku dreqin e ke shitur shpirtin tënd.
Që qarravitesh për ti dhënë nënës një “baba”, që e shkatërroi dhe kërkon ta zhduk këtë vend”, shkruan i revoltuar ai.
Në spot, Rajmonda Bulku shprehet:
“Bijtë e mi shqiptarë unë jam Nëna Shqipëri, jam zonjë e vjetër dhe sytë e mi kanë parë gjithë historinë e botës. Vështirësitë na kanë bërë të jemi gjaknxehtë, por në botë ne njihemi si misionarët e dashurisë.
Sot ju flas se jam në ditët e mia më të vështira, se shoh fëmijët e mi të vrarë nga varfëria, sypërlotur kur shoh shtëpinë bosh se fëmijët e mi kanë ikur nëpër botë. Ajo që më ther në shpirt është se bijtë e mi kanë hequr dorë nga Shqipëria.
Mos urrenin nënën tuaj bijtë e mi por urreni ata që na katandisën kështu. Shtëpia jonë është e bukur dhe e pasur, por është një shtëpi e vjedhur nga tradhtarë që ideal kanë vetëm paranë. Janë po këta njerëz që sot duan t’iu vjedhin lirinë dhe t’u mbyllin gojën”, shprehet Rajmonda Bulku në spot.