Kryetari i LDSH-së, Nikollë Camaj, ka prezantuar një deklaratë ku fton qytetarët shqiptarë të Malësisë, të veprojnë menjëherë, të mbështesin Forumin Shqiptar, si të vetmin organizëm politik që mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve, në këtë pjesë të gjeografisë kombëtare.
- camaj ka theksuar se “Forumi nuk ka rënë nga qielli, por e formuam ne, bijtë dashamirës të këtij trualli, që interesat personale e partiake i lamë mënjanë, dhe bëmë Malësinë kryefjalë. Malësinë e vendosëm në krye të vendit, aty ku edhe e ka vendin, aty ku e meriton. Sot, emrat e partive që e përbejnë, tingëllojnë zbehtë karshi Forumit, por edhe më zbehtë tingëllojnë te banorët e Malësisë, të cilët pothuaj nuk na dallojnë më, cili cilës parti i takon. Ata njohin vetëm Forumin dhe përkrahin vetëm Forumin dhe vetëm ata janë garant se Forumi do të vazhdojë të administrojë e të zhvillojë komunën e tyre”.
Në përfudnim të deklaratës së z. Camaj, thuhet: “Prandaj, qytetare e qytetarë të nderuar, këtu e në diasporë, mos ngurroni t’i rrini pranë Forumit shqiptar, garantit të ruajtjes së vlerave tona dhe të zhvillimit të Malësisë. Dashamirësia dhe përvoja nuk na mungojnë, që me mend në kokë, e me këmbë në tokë, për dje e për nesër, të veprojmë sot”.
Deklarata e plotë e z. Camaj:
Dashamirë të nderuar,
Forumi Shqiptar tashmë është bërë brend i këtij trualli të vogël në gjeografinë kombëtare. Për të dhe për të arriturat e tij, e di e tërë bota shqiptare, dhe jo vetëm. Përmes tij, politika shqiptare në Malin e Zi ka fituar në seriozitet, kurse aktorët e tjerë në skenën politike kanë fituar një partner të denjë në tryezën e bisedimeve, e Malësia kujdestarin më të denjë të vlerave tona, dhe bartësin e zhvillimit të kësaj treve të lënë pas dore.
Natyrisht, Forumi nuk ka rënë nga qielli, por e formuam ne, bijtë dashamirës të këtij trualli, që interesat personale e partiake i lamë mënjanë, dhe bëmë Malësinë kryefjalë. Malësinë e vendosëm në krye të vendit, aty ku edhe e ka vendin, aty ku e meriton. Sot, emrat e partive që e përbejnë, tingëllojnë zbehtë karshi Forumit, por edhe më zbehtë tingëllojnë te banorët e Malësisë, të cilët pothuaj nuk na dallojnë më, cili cilës parti i takon. Ata njohin vetëm Forumin dhe përkrahin vetëm Forumin dhe vetëm ata janë garant se Forumi do të vazhdojë të administrojë e të zhvillojë komunën e tyre.
Megjithatë, në prag të kësaj fushate, menduam se është e udhës që të gjitha subjektet të kenë nga një prononcim për përkrahësit e vetë, e sidomos për ata që mund të kenë akoma dilema, nëse ka të tillë, se kujt duhet besuar vota. Këtë, edhe për hir të atyre që na qëndruan pranë, derisa ishim subjekte në vete, e që sakrifikuan kohën, e shpesh edhe mundësitë e ofertat joshëse e hileqare që u ofronin forcat e tjera politike, e që mund të mendojnë se mundi u ka shkuar bosh, pasi që jo çdoherë dhe jo çdonjërit mund t’u rimë pranë. Por, jemi të sigurt se ata e dinë se Malësia meriton çdo mund e çdo sakrificë, kurse ne që e drejtojmë i falënderojmë për mundësinë që na dhanë që të jemi në shërbim të tyre e të këtij vendi të shenjtë për të gjithë ne.
Pa pretendim që të numëroj të arriturat, pasi që ato janë thënë e shkruar, por edhe shihen, dua të përmend vetëm faktin se jemi bërë shembulli më i mirë i politikës shqiptare, jemi bërë storie suksesi që do të mund t’u shërbente si shembull edhe vendeve me më shumë përvojë. Jo vetëm shembull i bashkëpunimit, por edhe i zhvillimit të vendit. Këtë, natyrisht e ka ndihmuar diaspora jonë, e cila ka lënë vendin në kërkim të një jetë më të lirë dhe më të mirë, por asnjëherë nuk ka pushuar së ndihmuari që edhe në vendlindjen e tyre të jetohet më mirë, dhe ajo që është më me rëndësi, të jetohet i lirë dhe të jetohet shqip.
Puna jonë 4-vjeçare si Forum, por edhe shumëvjeçare në politikë, ishte dhe mbeti në shërbim të këtyre vlerave, dhe kjo është ajo që na rekomandon edhe për zgjedhjet e ardhshme.
Ne si subjekt e kemi të njohur se çka janë sakrificat për të mirën e përbashkët. E dëshmuan këtë në çdo cikël zgjedhor dhe në çdo tryezë bisedimesh. Asnjëherë nuk ishim egoistë dhe as që do të jemi. Prandaj edhe mbetemi të hapur për të gjitha subjektet me emërtim shqiptarë, sepse në vallen tonë ka vend për të gjithë, dhe se Malësia ka nevojë për të gjithë bijtë e vet. Për të gjithë ata, për të cilët, Malësia e mirëqenia e sajë mbeten objektiv kryesor dhe kredo jetësore. Meqenëse këto vlera i ndajmë edhe me partnerët e tjerë bashkëveprimtarë (ASH dhe UNSH), identifikimi me emrin Forum mbetet rekomandimi më i rëndësishëm për zgjedhjet e 5 marsit.
Prandaj, qytetare e qytetarë të nderuar, këtu e në diasporë, mos ngurroni t’i rrini pranë Forumit shqiptar, garantit të ruajtjes së vlerave tona dhe të zhvillimit të Malësisë.
Dashamirësia dhe përvoja nuk na mungojnë, që me mend në kokë, e me këmbë në tokë, për dje e për nesër, të veprojmë sot!
Me përkushtim
Nikollë Camaj, kryetar i LDSH