Prej 10 vitesh, lufta civile në Siri ka prodhuar një krizë me pasoja të rënda. Mijëra të vdekur, qindra mijëra të plagosur dhe mbi 7 milionë persona të zhvendosur nga vendi i tyre.
Por edhe pse ka kaluar 1 dekadë, kriza vazhdon ende në sytë e të gjithë botës, ndërsa një tjetër është në horizont; kriza afgane, pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talibanët.
Problemet e shumta me imigrantët e paligjshëm nga Lindja e Mesme për në shtetet evropiane ka bërë që shumë vende të ndërtojnë gardhe në kufijtë e tyre tokësorë.
Një prej shteteve që është treguar më shumë jo miqësore me emigrantët ka qenë Hungaria, e cila ka ndërtuar një gardh kilometrik me Serbinë, e cila gjithashtu është kritikuar për qasjen e treguar.
Gjithsesi, kjo nuk i ka penguar emigrantët nga Lindja e Mesme që t’i kapërcejnë këto gardhe, me ndihmën e trafikantëve.
Siç mund të shihni në këto video trafikantët që operojnë në kufirin Serbi-Hungari, përdorin shkallë të larta, për të bërë të mundur kalimin e telave me gjemba të dhjetëra emigratëve.
Gjithçka bëhet kundrejt pagesës, ndërsa pasi kalojnë në anën tjetër të gardhit, qytetarët nga Lindja e Mesme priten nga persona me motorrë të shpejtë, për t’i dërguar më pas ata drejt destinacioneve të preferuara.
1300 km gardhe në Europë dhe kriza e re e afganëve
Që nga fillimi i krizës së emigrantëve në Europë në vitin 2015, Austria, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Maqedonia, Sllovenia dhe të tjerë vende kanë ndërtuar rreth 1300 kilomentra gardhe. Por gardhet nuk janë zgjidhja.
Tashmë Europa mund të përballet me një eksod të ri. Qindra mijëra afganë po lënë shtëpitë e tyre, ndërsa vendi ka rënë nën kontrollin e talebanëve.
BE ka heshtur, ndërsa gjithë përgjegjësia i është ngarkuar SHBA-ve, e cila po punon për marrjen e mijëra bashkëpunëtorëve të saj dhe të NATO-s në Afganistan.
Në krizën e re që është shfaqur në horizont, vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Britania e Madhe kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar refugjatë.
Shtetet e fuqishme heshtin, ndërsa shtete si Austria, Hungaria dhe Polonia kanë dalë qartësisht kundër.
Trafiku i arabëve në Shqipëri
Trafiku i emigrantëve është një fenomen i njohur edhe në Shqipëri. Pak muaj më parë emisioni investigativ Top Story publikoi një dokumentar “Trafiku i Arabëve” ku tregohej sesi bëhej nxerrja e emigrantëve jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa në rrjet ishin të përfshirë edhe zyrtarë të shtetit.
Top Story zbuloi një prej grupeve që është vendosur në zonën e Oxhakut në kryeqytet, midis rrugës Kongresi i Manastirit dhe Rrugës Xhanfize Keko. Banorët e njohin ndryshe si zona e Oxhakut. Si për ironi, baza e këtij grupi ndodhej pak metra larg nga dera e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Prova për trafikun e emigrantëve janë edhe komunikatat e përditshme të policisë, ku flitet për dhjetëra arrestime.